
Ish-ministri e quan “punë të mafias urbane”, pronari e demanton me vendim gjyqësor
“Doli në pronë private dhe më bëri hajdut mua”.
Kështu Alajdin Hasani, pronar i parcelës afër Spitalit të Tetovës, hedh poshtë si të pavërteta pretendimet e ish drejtorëve të Spitalit të Tetovës, se gjoja parcela ku janë të vendosura rezervuaret e naftës së Spitalit, është “uzurpuar nga mafia urbane”.
Në këtë parcelë, që nga viti 1980 janë të vendosura rezervuaret e naftës të Spitalit të Tetovës. Që nga atëherë, pronarët e parcelës asnjëherë nuk kanë kërkuar që të tërhiqen rezervuaret e naftës.
“Në vendimin e fundit të cilin e ka sjell shkalla e dytë e Gjykatës së Apelit në Gostivar, del se kjo tokë është tokë private. Ata e shfrytëzojnë vetëm pse i kam lënë unë ta shfrytëzojnë”, shprehet më tej Hasani.
Krahas rezervuareve të naftës, në parcelë është ndërtuar edhe mur betoni, i cili me vendim të Komunës së Tetovës është u kërkua që të rrëzohet që në vitin 2024 pasi është konstatuar se është ndërtuar jashtëligjshëm.
Megjithatë, muri ende qëndron aty.
Kontaktuam edhe Spitalin e Tetovës, por drejtori aktual refuzoi të deklarohet me arsyetimin se me rastin do të merren avokatët nëse është nevoja.



