
Eurodeputeti austriak Thomas Waitz dërgoi një mesazh të qartë drejt Shkupit: pas zgjedhjeve lokale, pritet që Maqedonia e Veriut të bëjë hapin që BE-ja pret prej kohësh – ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e komunitetit bullgar si pakicë.
Në një intervistë për Agjencinë Evropiane të Lajmeve (ENR), Waitz theksoi se kjo është “çelësi për nisjen reale të negociatave të anëtarësimit” dhe paralajmëroi se vonesat mund ta dëmtojnë besueshmërinë e vendit në procesin evropian.
“Procesi i pranimit është hapur, por në realitet negociatat ende nuk kanë filluar. Është koha që vendi të bëjë hapin e radhës për të mbetur në rrugën evropiane,” tha Waitz.
Ky mesazh vjen vetëm disa ditë pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve lokale, në një periudhë kur debati për amendamentet kushtetuese pritet të rikthehet në agjendën politike.