LokalXLajme

Në Gostivar, Mavrovë – Rostushë, Vrapçisht dhe Qendër Zhupë do të përsëritet procesi zgjedhor

Në 43 komuna në Maqedoninë e Veriut votimi ka përfunduar në raundin e parë për zgjedhjen e kryetarëve të komunave, në 33 komuna do të ketë raund të dytë, ndërsa në katër komuna do të përsëritet raundi i parë për shkak të mungesës së censit. Dalja në zgjedhjet lokale është 46,63 për qind, gjegjësisht në zgjedhje kanë dalë për të votuar 854.620 qytetarë, njoftoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve rezultatet zyrtare paraprake nga Zgjedhjet Lokale të mbajtura më 19 tetor.

Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, bëri të ditur se në përputhje me procesverbalet origjinale të pranuara nga të gjitha KZK-të gjatë ditës së sotme, në 33 komuna për dy javë, më 2 nëntor do të ketë raund të dytë zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të komunës. Për kryetar të Qytetit të Shkupit në raundin e dytë do të shkojnë Amar Mecinoviq nga Levica dhe Orce Gjorgjievski nga Koalicioni “Maqedonia Jote” i VMRO-DPMNE-së.

Me këtë, sipas rezultateve zyrtare paraprake, në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, VMRO-DPMNE ka fituar vende të kryetarëve të komunave në 33 komuna, koalicioni VLEN në pesë, AKI në tre dhe LSDM në tre.

– Në raundin e dytë zgjedhor fitues konsiderohet kandidati që do të fitojë më shumë vota, nuk ka census, tha Kondarko.

Në katër komuna ku nuk janë përmbushur kushtet ligjore për dalje nga minimumi ligjor prej një të tretës së votuesve të regjistruar në nivel komune, do të përsëritet i gjithë raundi i parë zgjedhor brenda një afati prej 60 ditësh nga dita e shpalljes së rezultateve përfundimtare.

Përsëritje e raundit të parë të zgjedhjeve për shkak të censit të pamjaftueshëm do të ketë në Gostivar, në Mavrovë dhe Rostushë, Vrapçisht dhe në Qendër Zhupë.

KSHZ-ja sonte i shpalli edhe mandatet e fituara të këshilltarëve sipas komunave në Zgjedhjet Lokale.

– Me këtë KSHZ-ja i shpalli rezultatet zyrtare paraprake të plota nga votimi në zgjedhjet lokale për zgjedhjen e kryetarëve të komunave, për këshilltarët në komuna, si dhe për zgjedhjen e kryetarit të Shkupit dhe për Këshillin e Qytetit të Shkupit. Afati për ankesat për rezultatet e përmbledhura fillon nga ora 22:00 sonte dhe përfundon të mërkurën më 22, deri në orën 22:00, tha Kondarko.

Ai kujtoi se ndërkohë që nga dje ka filluar edhe afati për procedurën për eventuale ankesa për rrjedhën e votimit.

– Ky afat ka filluar dje në orën 19:00 dhe përfundon nesër, të martën në orën 19:00. Ankesat dorëzohen drejtpërdrejt në KSHZ. Dorëzimi i ankesave përmes postës dhe postës elektronike nuk lejohet, theksoi Kondarko.

KSHZ-ja sonte i hodhi poshtë si të pabazuara ankesat për parregullsi të supozuara në procesin zgjedhor të paraqitura nga Grupi i votuesve Biljana Ivanovska për kryetare të Komunës së Qendrës dhe nga Grupi i votuesve Jane Dimeski për lista këshilltarësh për Komunën Qendër.

Më parë, KSHZ e mbylli seancën e 147-të, e cila kishte filluar pardje, pasi, siç tha kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, ndërkohë nuk kishin arritur ankesa të reja në lidhje me mbrojtjen e të drejtës personale të votimit.

Related Articles

Back to top button