
Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale” – Shkup (HKSH) ka konfirmuar se pagat e punonjësve po jepen me disa ditë vonesë, por ka akuzuar Ministrinë e Shëndetësisë për mungesë bashkëpunimi dhe borxh të papaguar që sipas saj arrin mbi 5 milionë euro. Sipas HKSH-së, ky borxh shumëvjeçar ka ndikuar drejtpërdrejt në likuiditetin financiar të ndërmarrjes dhe për këtë arsye kërkohet që Ministria ta shlyejë menjëherë për të siguruar pagesën me kohë të pagave.
“HKSH ka punuar me borxhe për 30 vitet e fundit, sepse Ministria e Shëndetësisë i detyrohet mbi 5 milionë euro… Nëse ky borxh paguhet, garantojmë që pagat nuk do të vonohen as për një ditë”, thuhet në kumtesën e ndërmarrjes, duke shtuar se protestat që po tentohen të organizohen për një vonesë pesëditore në pagesën e pagave janë “qesharake” dhe me prapavijë politike.
Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë mohon kategorikisht ekzistencën e ndonjë borxhi ndaj “Higjienës Komunale”. Në reagimin e saj, MSH thekson se akuzat janë të pabaza dhe se synojnë të shmangin përgjegjësinë nga vetë drejtuesit e ndërmarrjes.
“Ministria e Shëndetësisë, si subjekt juridik, nuk ka asnjë detyrim apo borxh ndaj NP ‘Higjiena Komunale’ – Shkup. Pretendimet për një borxh të papaguar prej 5 milionë eurosh janë të pasakta dhe synojnë të dëmtojnë reputacionin e Ministrisë ose të shmangin përgjegjësinë e dikujt tjetër”, thuhet në kumtesën e MSH-së.
Përplasja mes dy institucioneve vjen në një kohë kur punonjësit e sektorit publik në disa ndërmarrje komunale në vend, veçanërisht ato të udhëhequra nga kuadro të VMRO-së dhe VLEN-it, nuk kanë marrë paga për muaj me radhë. Ndërkohë, HKSH thotë se pavarësisht vështirësive financiare, pagat e punonjësve të saj janë paguar rregullisht, edhe pse me vonesë të vogël.