
Në tremujorin e tretë të këtij viti, çmimi më i lartë i arritur për një banesë për metër katror ishte 189.231 denarë, përkatësisht 280.000 euro për një sipërfaqe totale prej 91 metrash katrorë, e cila ndodhet në territorin e Komunës Qendër. Për një metër katror janë paguar 3.000 euro, tregojnë të dhënat e publikuara sot nga Agjencia për Kadastër të Patundshmërive.
Në Regjistrin e çmimeve dhe qirave, në periudhën nga korriku deri në shtator të vitit 2025, në të gjithë territorin e shtetit janë regjistruar 845 banesa të sapo ndërtuara, gjegjësisht banesa nga investitorë, që është për 169 banesa më shumë krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025. Gjithashtu, në Agjencinë për Kadastër të Patundshmërive deri tani janë regjistruar 26.463 fletë për regjistrim të ndërtimit, që tregon se këto objekte janë në fazë ndërtimi dhe së shpejti do të dalin në tregun e patundshmërive.
Nga 937 shitjet e regjistruara nga investitorë në Regjistrin e çmimeve dhe qirave në tremujorin e tretë, 845 janë për banesa, 89 për shtëpi, dhe dy shitje për garazhe.
Nëse bëhet krahasimi i shitjeve të objekteve të reja ndërtimi, gjegjësisht shitjeve nga investitorë (banesë, shtëpi, hapësirë afariste, garazh etj.), në tremujorin e tretë me tremujorin e dytë të këtij viti ku janë regjistruar 754 shitje të tilla, vërehet një rritje prej 183 shitjesh në tremujorin e tretë.
Gjithashtu, nëse krahasohet shitja e banesave të sapo ndërtuara në këtë tremujor me tremujorin e dytë të vitit 2025, ku janë regjistruar 676 shitje të banesave nga investitorë, atëherë vërehet një rritje në tremujorin e tretë të vitit 2025 për 169 banesa të shitura.
Nëse shqyrtohet blerja e patundshmërive sipas tipeve të blerjes, mund të vërehet se numri më i madh i blerjeve i takon banesave, me 32 për qind. Në tremujorin e tretë krahasuar me të dytin të vitit 2025 ka një rritje prej 1 për qind të blerjeve të banesave, gjegjësisht në tremujorin e dytë ato përbënin 31 për qind të numrit të përgjithshëm të blerjeve.
Numri më i madh i banesave të shitura të regjistruara në Regjistrin e çmimeve dhe qirave është në Komunën Aerodrom, me 275 banesa, ndërsa Manastiri ka numrin më të madh të shtëpive të shitura – 71. Nga komunat e Shkupit, në tremujorin e tretë në Qendër janë shitur 236 banesa, 133 në Çair, 121 në Gazi Babë, 114 në Kisella Vodë, 103 në Karposh… Në Gostivar janë shitur 11 banesa, në Ohër 99, në Tetovë 84, në Strumicë 83…
Numri më i madh i shitjeve të hapësirave afariste është në komunat Aerodrom dhe Qendër, ku janë shitur nga 22 patundshmëri të tilla.
Në periudhën nga 1 korrik deri më 30 shtator të këtij viti, në Regjistrin e çmimeve dhe qirave janë regjistruar gjithsej 8.319 transaksione (numri i përgjithshëm i transaksioneve është shuma e numrit të përgjithshëm të blerjeve dhe qirave). Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025, në këtë tremujor janë regjistruar 584 transaksione më shumë, që tregon për rritje të tregut të patundshmërive në lidhje me volumin e tregtimit.
Numri më i madh i shitjeve është regjistruar në korrik – 1.829 shitje, ndërsa numri më i madh i qirave – 826 – ka qenë gjithashtu në korrik. Numri më i madh i shitjeve nga investitorë, gjegjësisht shitjeve të objekteve të reja ndërtimi (banesë, hapësirë afariste, garazh etj.) është regjistruar në shtator – gjithsej 370 shitje.
Numri më i madh i transaksioneve është realizuar në territorin e Komunës Qendër – 611, në Komunën Aerodrom janë regjistruar 515, në Komunën Karposh 440, ndërsa komunat Kisella Vodë dhe Kumanovë kanë nga 349 transaksione secila, dhe Komuna e Manastirit me 346 transaksione.