LokalXLajme

VMRO me fitore bindëse në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, VLEN 5 komuna, AKI 3

Në zgjedhjet lokale të mbajtura më 19 tetor, qytetarët e Maqedonisë së Veriut votuan për përfaqësuesit e pushtetit lokal. Sipas rezultateve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në 44 komuna janë zgjedhur kryetarë që në raundin e parë, ndërsa në 33 komuna të tjera do të zhvillohet raundi i dytë më 2 nëntor. Në tre komuna – Qendër Zhupë, Vrapçisht dhe Mavrovë-Rostushë – procesi do të përsëritet për shkak të pjesëmarrjes së ulët të votuesve.

Partia opozitare VMRO-DPMNE ka dalë fituese absolute e këtij raundi, duke siguruar 32 komuna në të gjithë vendin. Kandidatët e saj kanë fituar në Manastir, Veles, Shtip, Ohër, Prilep, Dellçevë, Radovish, Gazi Babë, Kisella Vodë, Gjorçe Petrov, Ilinden, Kavadar, Vevçan, Sveti Nikollë, Novaci, Berovë, Butel, Petrovëc, Vasillevë, Karbinci, Zelenikovë, Kratovë, Gradsko, Demir Hisar, Pehçevë, Novo Sello, Sopishtë, Resnjë, Jegunovcë, Gjevgjeli dhe Bosillovë.


Një ndër fitoret më të theksuara për VMRO-DPMNE-në është Strumica, bastioni tradicional i LSDM-së, që për më shumë se 20 vite ishte simbol i pushtetit socialdemokrat.

Koalicioni qeverisës shqiptar VLEN ka siguruar fitore në pesë komuna me shumicë shqiptare, duke shënuar një sukses të rëndësishëm politik. Kandidatët e saj kanë triumfuar në Çair, Saraj, Haraçinë, Zhelinë dhe Tearcë – komuna që për vite me radhë ishin bastione të BDI-së.

Nga ana tjetër, LSDM ka arritur të fitojë vetëm tre komuna – Bogdancë, Kriva Pallankë dhe Krivogashtan – ndërsa koalicioni AKI i udhëhequr nga BDI ka siguruar fitore në Likovë, Pllasnicë dhe Çashkë, ku për herë të parë në historinë e shtetit komuna do të udhëhiqet nga një shqiptar, falë mobilizimit të diasporës.

Në garën për kryetar të Qytetit të Shkupit, kandidati i VMRO-DPMNE-së Orce Gjorgjievski mban një epërsi të theksuar ndaj rivalit nga E Majta, Amar Mecinoviq, dhe të dy do të përballen në raundin e dytë.

Në disa komuna shqiptare, gara mbetet e hapur. Në Tetovë, përballja do të jetë mes Bilall Kasamit (VLEN) dhe Bajram Rexhepit (AKI); në Kërçovë, mes Fatmir Deharit (BDI) dhe Aleksandar Jovanovskit (VMRO-DPMNE); në Dibër dhe Bogovinë, përballja do të jetë mes BDI-së dhe VLEN-it; ndërsa në Strugë, raundi i dytë do të zhvillohet mes Mendi Qyrës (i pavarur, i mbështetur nga VLEN) dhe Arsim Dalipit (AKI).

Related Articles

Back to top button