
Dy aeroportet e RMV-së, Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit dhe Aeroporti i Ohrit “Shën Apostol Pali” në nëntë muajt e parë kanë shërbyer gjithsej 2.585.096 pasagjerë, që është një rritje prej gjashtë për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Numri i fluturimeve, njëherit, është rritur për tre për qind në të njëjtën periudhë, përkatësisht të dy aeroportet kanë shërbyer 20.141 fluturime nga fillimi i vitit deri në shtator.
Siç informoi sot TAV Aeroporte, për këtë rritje pozitive të numrave për këto nëntë muaj kryesisht ndikuan tetë linjat e sapohapura nga dy aeroportet në fillim të vitit, në bashkëpunim me kompanitë ajrore dhe Qeverinë.
“Në nëntë muajt e parë të vitit, TAV Maqedoni e ruajti trendin pozitiv të rritjes dhe stabilitetit, duke konfirmuar edhe një herë suksesin e strategjisë sonë afatgjatë. Këto rezultate nuk janë të rastësishme, ato janë rezultat i planifikimit të kujdesshëm dhe angazhimit të vazhdueshëm për përmirësimin e shërbimeve në të dy aeroportet e RMV-së. Jam i bindur se rritja e qëndrueshme do të vazhdojë deri në fund të vitit, sepse në periudhën e ardhshme, shtatë lidhje të reja ajrore do të fillojnë në vend përmes kompanisë ajrore Viz Er, edhe atë nga Shkupi për në Bari dhe Stokholm, përmes fluturimeve që do të fillojnë më 27 tetor, dhe po atë ditë do të fillojë edhe linja ajrore nga Ohri në Bazel. Një ditë më vonë, më 28 tetor, kryeqyteti lidhet me Madridin dhe Larnakën, e nga 15 dhjetori me Pragën dhe Këlnin. Përveç kësaj, nga 3 nëntori, Easyjet do ta lidhë përsëri Shkupin me Gjenevën, thuhet në deklaratën me shkrim të drejtorit të përgjithshëm të TAV Maqedoni, Nexhat Kurt.
Ai pret një numër të madh pasagjerësh për shkak të fluturimeve të reja që janë paralajmëruar ashmë për vitin e ardhshëm, si nga Shkupi për në Budapest dhe në Napoli, të cilat do të fillojnë më 30 mars 2026, dhe nga Ohri në Milano më 30 mars, në Vroklav më 7 qershor dhe në Katovicë nga 8 qershori.
“Prandaj, dua të theksoj se edhe në periudhën e ardhshme, TAV Maqedoni do të vazhdojë të punojë në drejtim të hapjes së linjave të reja ajrore dhe hyrjes së kompanive të reja ajrore dhe lidhjeve edhe më të mira midis Maqedonisë dhe botës, thotë drejtori i përgjithshëm i TAV Maqedoni.

Sipas statistikave të TAV Maqedoni, vetëm në shtator, dy aeroportet e RMV-së kanë shërbyer 329.523 pasagjerë, që është 8 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kurse janë realizuar 2.422 fluturime, që është një për qind më shumë se vitin e kaluar.
Rritja e qëndrueshme në 9 muajt e parë dëshmohet edhe nga mesatarja ditore e pasagjerëve. Aeroporti i Shkupit shërbeu mesatarisht 8.687 pasagjerë në ditë, që është 5,7 për qind më shumë se vitin e kaluar, ndërsa përmes Aeroportit të Ohrit kanë udhëtuar 767 pasagjerë në ditë, që është 16,3 për qind më shumë se vitin e kaluar.
Analizat e ndara për të dy aeroportet për periudhën nga janari deri në shtator tregojnë se 2.375.264 persona udhëtuan përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit, që është 5,4 për qind më shumë se vitin e kaluar, ndërsa Aeroporti i Ohrit “Shën Pali Apostull” shënoi një rritje dyshifrore prej 16,2 për qind me 209.832 pasagjerë të shërbyer.
Stambolli është përsëri destinacioni më i frekuentuar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit për në aeroportet IGA dhe Sabiha Gokçen me një pjesëmarrje në treg prej 16,9 për qind. Pas tij vijnë Bazel Miluz (6,1 për qind), Frankfurti (5,7 për qind), Cyrihu (4,6 për qind), Vjena (4,2 për qind), Mynih – Memingen (4,1 për qind) dhe Dortmundi (4,1 për qind).
Top – pesë vendet me më shumë fluturime direkte janë Turqia (25,1 për qind pjesë e tregut në trafikun total të pasagjerëve), Gjermania (24,7 për qind), Zvicra (10,9 për qind), Italia (5,2 për qind) dhe Austria (4,4 për qind).



