Lokal

Mexhiti: Çairi ka filluar epokën e re të zhvillimit

Sot, në ditën e fundit të fushatës për zgjedhjet lokale të 19 tetorit, kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga koalicioni VLEN, Izet Mexhiti, paraqiti para qytetarëve një përmbledhje të plotë të ofertës së tij programore. Në një fjalim të detajuar dhe gjithëpërfshirës, Mexhiti prezantoi projektet strategjike për transformimin e Çairit në një komunë moderne dhe të zhvilluar, me theks në infrastrukturën urbane, arsimin cilësor, mbrojtjen e mjedisit, përfshirjen sociale dhe fuqizimin ekonomik. Ai theksoi se ndryshimi në Çair tashmë ka nisur dhe se ky vizion i ri do të ndërtohet mbi vepra konkrete, mbështetje institucionale dhe partneritet të ndershëm me qytetarin.

“Çairi po ndryshon. Po ndryshon çdo ditë me vepra, me punë dhe me vizion të qartë për zhvillim. E njoh Çairin mirë. E di çdo rrugë, çdo shtëpi, çdo nevojë dhe çdo sfidë. E di çfarë i mungon këtij vendi dhe e di si ta bëjmë realitet ndryshimin që qytetarët tanë e meritojnë. Çairi është komuna me dendësinë më të madhe në Evropë dhe nuk mund t’ia dalë me buxhet vetanak. Patjetër i duhet mbështetje nga Qyteti i Shkupit dhe nga Qeveria. Me ardhjen tonë në qeveri kemi nisur një epokë të re investimesh. Kemi kthyer dinjitetin e Çairit dhe po e shndërrojmë atë në një komunë moderne, funksionale dhe të zhvilluar, me investime madhore në infrastrukturë dhe në çdo sektor tjetër”, tha ai.

Ai tregoi shtyllat kryesore të programit që do ta zhvillojë Çairin, me projekte që tashmë kanë nisur dhe të tjera që do të fillojnë shumë shpejt, për ta çuar komunën tonë në një nivel të ri transformimi.
 
“Çairi po ndërtohet me standarde të reja urbane. Po realizojmë rrugë të reja, ndriçim modern, kanalizime të reja dhe trotuare të sigurta në çdo lagje, nga Serova, Gazi Baba, Fushë Topana e Dizhoni, deri te qendra e qytetit. Në qendër të këtij transformimi qëndron projekti madhor i Unazës rreth Malit të Gazi Babës, një arterie e re qarkullimi që do të lidhë drejtpërdrejt lagjet e Gazi Babës me pjesët e tjera të qytetit. Ky projekt do të ulë ngarkesën në Bulevardin “Cvetan Dimov”, do të lehtësojë komunikacionin për mijëra qytetarë dhe do të rrisë efikasitetin e lëvizjes urbane. Po zgjerojmë dy arteriet kryesore të Çairit, Bulevardin “Cvetan Dimov” dhe Bulevardin “Mit’hat Frashëri”. Zgjerimi i tyre përfshin korsi të reja, trotuare të gjera, ndriçim modern, pista  biçikletash dhe sistem të ri kanalizimi e ujësjellësi”, ka thënë Mexhiti.

Në qendër të qytetit, shtoi ai po realizohet faza e tretë e Sheshit “Skënderbeu” i cili do të shndërrohet në simbol të modernitetit. Parkingun nëntokësor me 800 vende parkimi tashmë po e bëjmë realitet. Ky projekt do të zgjidhë problemin e trafikut, do të lirojë hapësirat publike dhe do ta kthejë sheshin në vendtakim për njerëz, kulturë dhe gjallëri qytetare.
 
Kemi nisur projektet e ndriçimit publik dhe asfaltimit të plotë në rrugët sekondare e lokale, për të garantuar siguri në çdo lagje. Do të ndërtojmë parkingje të reja rezidenciale në çdo zonë të Çairit, që çdo familje të ketë hapësirën e vet dhe rrugët të mos jenë më të mbingarkuara. Një ndër projektet kryesore do të jetë pajisja e rreth 80 ndërtesave të vjetra banesore me ashensorë, për të përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetesës së banorëve. Ky është vizioni ynë për një Çair që funksionon, që lidhet dhe që ecën me
ritmin e zhvillimit modern. Ne po ndërtojmë infrastrukturë që nuk është vetëm për sot, por për dekadat e ardhshme”, ka thënë ai.

Shtoi se Mega park Çair do të jetë projekti më i madh i gjelbërimit dhe rekreacionit në historinë e komunës. Ai do të ketë zona ujore, shtigje për ecje, hapësira sportive, kënde për fëmijë dhe ambiente për koncerte e evente. Krahas tij, po rinovojmë Parkun e Çairit dhe po instalojmë kontejnerë nëntokësorë në çdo lagje. Kemi nisur programin e ndriçimit dhe menaxhimit të integruar të mbeturinave për një ambient të pastër, të sigurt dhe ekologjik.
 
E ardhmja e Çairit, sipas tij fillon në bankat e shkollës, po ndërtojmë siç tha dy shkolla të reja moderne, “Mit’hat Frashëri” dhe “Victory”, me laboratorë, biblioteka dhe ambiente bashkëkohore për mësim cilësor.

“Komuna do të mbulojë tërësisht uniformat shkollore për të gjithë nxënësit, pa kosto për familjet, dhe do të sigurojë shujtat ditore falas për fëmijët e familjeve me mbështetje sociale. Në çdo shkollë do të ndërtojmë salla sportive të reja, si dhe Sallën multifunksionale “Çair”, që do të shërbejë si qendër për aktivitete edukative, kulturore dhe rinore. Po ndërtojmë dy çerdhe të reja, “Borëbardha” dhe “Vesëza”, që do të ofrojnë kujdes dhe edukim për fëmijët. Do të ndërtojmë Sallën e madhe sportive “Çair” me kapacitet për 3,000 spektatorë, arenë për gara kombëtare dhe ndërkombëtare. Krahas saj, kemi nisur ndërtimin e pishinave sportive moderne dhe sallave të reja sportive në shkolla e lagje, për aktivitet fizik gjatë gjithë vitit. Po rikonstruktojmë Sallën “Partizan” dhe po hapim Qendrën Rinore “Çairçanja”, hapësirë për kreativitet, ide dhe zhvillim personal. Çdo i ri në Çair do të ketë vendin e vet për sport, rekreacion dhe rritje”, tha ai.
 
Ai tha se po ndërtojnë edhe shkollën e re për fëmijët me nevoja të veçanta dhe Qendrën ditore “Edhe Ti Je i Rëndësishëm”, për integrimin dhe përkujdesjen e tyre. Do të adaptojmë hapësirat publike me rampa, ndriçim dhe sinjalistikë universale që çdo qytetar të ndihet i lirë dhe i barabartë. Në qendër të këtij vizioni arsimor është Kampusi Universitar “Nënë Tereza”, një investim historik prej 40 milionë eurosh që do ta shndërrojë Çairin në qendër të arsimit të lartë në vend. Ky kampus do të përfshijë fakultete moderne, laboratorë kërkimorë, qendra inovacioni dhe rezidenca studentore, duke sjellë jetë, dije dhe zhvillim ekonomik në komunën tonë. Një investim që i jep Çairit statusin e një zone akademike dhe e kthen në magnet për rininë dhe dijen.
 
Tha se Çarshia është historia dhe krenaria jonë.

“Në Çarshi po vazhdojmë me projektet e ruajtjes dhe promovimit kulturor. Çarshia e Vjetër po rilind me pamje të re. Po restaurojmë objektet tradicionale, fasadat dhe rrugicat me kalldrëm, me ndriçim historik dhe infrastrukturë moderne nëntokësore për ujësjellës, kanalizim dhe menaxhim mbeturinash. Po krijojmë sistem të ri pastrimi dhe siguri 24-orëshe, ndërsa çdo hapësirë publike po rregullohet me ndriçim  arkitektonik, ulëse dhe dekor autentik. Do të krijojmë Institucionin Porta e Kulturës (“Tingujt e Çarshisë”), që do ta vendosë Çarshinë në hartën kombëtare të kulturës, turizmit dhe trashëgimisë. Do të realizohet edhe projekti “Çarshia Digjitale”, me muze virtual dhe aplikacion celular për promovimin e artizanatit dhe bizneseve lokale. Ky është vizioni ynë për një Çarshi që bashkon traditën me teknologjinë, historinë me zhvillimin”, ka thënë ai duke shtuar se po ndërtojnë edhe një ekonomi që mbështet idetë dhe guximin e qytetarëve të Çairit.

Do të themelojmë Qendrën për Sipërmarrësi Rinore dhe Inovacion, “HUB Çair”, si dhe Inkubatorin për Start-Up-e dhe Fondin Lokal të Inovacionit, që do të mbështesin financiarisht dhe profesionalisht të rinjtë dhe gratë që duan të nisin bizneset e tyre. Do të zbatojmë Programin për Gratë Sipërmarrëse, që do të ofrojë trajnime dhe fonde për bizneset e vogla. Krahas këtyre, do të rindërtojmë Qendrën Tregtare “Mavrovasja”, për ta kthyer në një qendër të re të ekonomisë dhe punësimit për qytetarët tanë”, u shpreh mes tjerash Mexhiti.

Related Articles

Back to top button