
Kandidati i AKI-së për kryetar të Likovës, Erkan Arifi ka dalë me një deklaratë publike në ditën e fundit të fushatës.
Ai ka kujtuar banorët e Likovës që ta ruajnë respektin dhe tolerancën për njëri – tjetrin dhe ka shprehur bindjen që nga e hëna ai do të jetë sërish kryetar dhe do të vazhdojë me punë.
“Politika është e drejtë e secilit, por me lejoni t’ju kujtoj, me respektin më të madh, se ne jemi një komunë e vogël ku të gjithë njihemi mes vete. Prandaj, nuk ka më fisnike se të ruajmë respektin, tolerancën, qetësinë dhe ndjenjën e familjaritetit. Zgjedhjet do kalojnë, por ne do të vazhdojmë të jetojmë bashkë dhe duhet të mbetemi njerëz që respektojmë njëri-tjetrin.
Si kryetar aktual dhe kandidat për një mandat të tretë në krye të Komunës së Likovës, ju falënderoj nga zemra për mbështetjen tuaj të vazhdueshme – për çdo mesazh, takim, përshëndetje dhe besim që më keni dhënë mua dhe listës fituese të këshilltarëve të koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim.
Jam thellësisht i bindur se nga e hëna do të vazhdojmë së bashku punën tonë për të mirën e komunës, me përgjegjësi dhe përkushtim, për një mandat të tretë të zhvillimit dhe suksesit të përbashkët.
Duam fitore të madhe, sepse e meritojmë – jemi më të mirët!
Bashkë për një fitore madhështore, duke votuar numrin 4, numrin tonë fitues”, tha Arifi.