BotëUncategorized @sqXLajme

Uruguai bëhet vendi i parë në Amerikën Latine që legalizon eutanazinë

Uruguai të mërkurën ka miratuar ligjin që legalizon eutanazinë, duke u bërë vendi i parë në Amerikën Latine dhe një nga rreth një duzinë shtete në botë që lejon vetëvrasjen e asistuar.

Ky vend i vogël i Amerikës së Jugut ka një histori të gjatë në miratimin e ligjeve sociale liberale – përfshirë legalizimin e marihuanës, martesave të së njëjtës gjini dhe abortit shumë më herët se shumica e vendeve të tjera.

Tani në këtë listë është shtuar edhe eutanazia, pasi Senati miratoi ligjin e quajtur “Vdekje me Dinjitet” me 20 vota për nga 31 deputetë të pranishëm, duke ratifikuar ligjin që Dhoma e Ulët e kishte miratuar në gusht.

Votimi u zhvillua pas 10 orësh debat, të cilin disa ligjvënës e quajtën “më të vështirin në karrierën e tyre”. Debati u zhvillua në mënyrë të respektueshme, por me emocione të forta — disa nga shikuesit shpërthyen në britma “vrasës!” pas votimit.

Në pjesë të tjera të Amerikës Latine, Gjykatat Kushtetuese të Kolumbisë dhe Ekuadorit e kanë dekriminalizuar eutanazinë, por pa miratuar ligje që ta legalizojnë plotësisht. Kuba, ndërkohë, lejon pacientët terminalë të refuzojnë mbajtjen artificiale në jetë.

Ligji, i propozuar nga partia në pushtet Frente Amplio (Fronti i Gjerë), u miratua pas një beteje shumëvjeçare me kundërshtime të forta nga e djathta fetare.

Një sondazh i fundit tregoi se mbi 60% e uruguajanëve mbështesin legalizimin e eutanazisë, ndërsa vetëm 24% janë kundër.

Ligji u lejon qytetarëve apo rezidentëve të rritur të Uruguait që janë në fazë terminale të një sëmundjeje të pashërueshme dhe plotësisht të vetëdijshëm, të kërkojnë asistencë mjekësore për t’i dhënë fund jetës së tyre në mënyrë të dinjitetshme.

Beatriz Gelos, 71 vjeçe, e cila vuan nga sëmundja neurodegjenerative ALS, e quajti ligjin “të mëshirshëm dhe shumë njerëzor”.
“Ata që e kundërshtojnë nuk kanë asnjë ide si është të jetosh kështu,” tha ajo për AFP.

Një tjetër mbështetëse, Monika Canepa, tha se djali i saj Pablo, 39 vjeç, i paralizuar nga një sëmundje e pashërueshme, “nuk po jeton – kjo nuk është jetë.”

Shoqata Mjekësore e Uruguait nuk ka marrë qëndrim zyrtar, duke u lënë mjekëve lirinë të veprojnë sipas ndërgjegjes së tyre, ndërsa Kisha Katolike shprehu “trishtim” për vendimin.

Related Articles

Back to top button