LokalXLajme

Gati materialet zgjedhore për zgjedhjet lokale të 19 tetorit – fletëvotimi më i gjatë arrin gjysmë metri

Gjysmë metri është fletëvotimi më i gjatë i printuar për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 19 tetor. Për shkak të numrit të madh të fletëve për zgjedhjen e kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve, si dhe përmasave jashtë standardit, ky proces është cilësuar si një ndër më të ndërlikuarit për shtypjen e materialit zgjedhor deri më tani.

Në këto zgjedhje, përveç partive politike, do të marrin pjesë edhe 69 kandidatë të pavarur për kryetarë komunash dhe 68 lista të pavarura për këshilltarë.

Sot në mëngjes, me sigurim policor, filloi shpërndarja e materialit zgjedhor nga shtypshkronja “Kiro Dandaro” në Manastir drejt të gjitha komisioneve zgjedhore komunale në vend. Materiali, i cili transportohet me kamionë, përfshin listat zgjedhore, procesverbalet origjinale për çdo vendvotim dhe të gjitha fletët e votimit. Shpërndarjen e realizojnë 17 ekipe të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) me mbështetjen e MPB-së.

“Shtypëm gjithsej 4.613.438 fletëvotime në nivel shtetëror, si dhe 254.262 faqe të listave zgjedhore dhe ekstrakte të veçanta. U përgatitën gjithashtu 8.692 procesverbale si material konfidencial dhe 8.330 fletë në alfabetin Braj, për personat me shikim të dëmtuar,” deklaroi kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko.

Në këto zgjedhje pritet të votojnë 1.832.415 zgjedhës në 3.480 vendvotime, por do të hapen vetëm 3.474, pasi në gjashtë vendvotime nuk ka banorë të regjistruar.

Sipas Kondarkos, për përgatitjen e materialit konfidencial janë planifikuar 48 milionë denarë (rreth 780 mijë euro), ndërsa shuma përfundimtare do të varet nga zhvillimi i raundit të dytë.

Related Articles

Back to top button