LokalXLajme

Komisioni i Venecias kërkon kufizim të mandatit të Kryeprokurorit

Projektligjet e propozuara për Prokurorinë Publike dhe për Këshillin e Prokurorëve Publikë, megjithëse kanë disa mangësi, përmbajnë shumë karakteristika pozitive – të reja ose të përshtatura nga ligjet aktuale. Kështu thuhet në opinionin e përbashkët të Komisionit të Venecias dhe të Drejtoratit të Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit (DGI) të Këshillit të Evropës për dy projektligjet e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Në opinion rekomandohet ndryshimi i Kushtetutës, me qëllim që të kufizohet e drejta për rizgjedhje të Prokurorit të Përgjithshëm dhe që zgjedhja dhe shkarkimi i tij të bëhet me shumicë të kualifikuar në Kuvend. “Duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre çështjeve për autonominë dhe pavarësinë relative të Prokurorisë Publike, Komisioni i Venecias rekomandon që në kuadër të reformës së ardhshme kushtetuese të ndryshohet Kushtetuta edhe në këto pika”, thuhet në dokument.

Sa i përket projektligjit për Këshillin e Prokurorëve Publikë, Komisioni propozon të rishikohet përvoja profesionale e kërkuar për anëtarët laikë të Këshillit dhe të sigurohet një metodë alternative për zgjedhjen e katër anëtarëve laikë, në mënyrë që përzgjedhja të bazohet në merita, integritet dhe përfaqësim të larmishëm. Po ashtu, funksioni i prokurorëve që zgjidhen si anëtarë të Këshillit duhet të pezullohet gjatë mandatit të tyre në këtë organ.

Në opinion theksohet se duhet të sqarohen konceptet “ndikon në autonominë e prokurorëve publikë” ose “neglizhon apo nuk i kryen detyrat e veta në punën e Këshillit”, si bazë për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë. Komisioni propozon gjithashtu përfshirjen e garancive shtesë që vendime të rëndësishme, si ndërprerja e parakohshme e mandatit të një anëtari, të merren me shumicë votash të prokurorëve në Këshill.

Në projektligj duhet të përcaktohet qartë se të gjithë anëtarët e Këshillit, si prokurorë ashtu edhe laikë, zgjidhen në bazë të kapacitetit individual dhe se nuk janë të varur nga Prokurori i Përgjithshëm për punën e tyre në Këshill. Po ashtu, Prokurori i Përgjithshëm nuk duhet të ketë të drejtë vote në çështjet që kanë të bëjnë me disiplinën. Si masë kalimtare, Komisioni rekomandon që anëtarët aktualë të Këshillit të vazhdojnë detyrën deri në përfundimin e mandatit të tyre.

Në lidhje me projektligjin për Prokurorinë Publike, Komisioni rekomandon që në vlerësimin e kandidaturave për Prokuror të Përgjithshëm të përfshihen edhe aftësitë menaxheriale dhe organizative, si dhe të saktësohet se lejohet vetëm një rizgjedhje. “Çdo dënim penal që përfshin burgim duhet të ndërpresë mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe të prokurorëve; të ndryshohen bazat për shkarkim për më shumë qartësi dhe parashikueshmëri; Qeveria duhet të japë arsyetim të qartë në Kuvend nëse devijon nga mendimi i Këshillit të Prokurorëve Publikë për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, dhe të sigurohen masa procedurale mbrojtëse për prokurorët që vlerësohen”, thuhet në opinion.

Komisioni i Venecias rekomandon gjithashtu të hiqet mundësia që dy vlerësime negative radhazi për performancë të konsiderohen si shkelje disiplinore e rëndë që sjell shkarkim, si dhe të sqarohen dispozitat për përgjegjësinë e Prokurorit të Përgjithshëm para Kuvendit, duke nënvizuar se kjo përgjegjësi nuk lidhet me vendimet konkrete për ndjekje penale apo me punën operative të Prokurorisë Publike.

Related Articles

Back to top button