
Gjatë fundjavës së kaluar, 13 persona janë arrestuar për drejtim të rrezikshëm të automjetit, në bazë të nenit 297-a të Kodit Penal, ndërsa janë regjistruar gjithsej 1.502 kundërvajtje në komunikacion.
Gjatë fundjavës (11–12 tetor 2025), si rezultat i kontrolleve të rregullta të trafikut që zhvillohen nga zyrtarët policorë në të gjitha sektorët e punëve të brendshme në rrugët e vendit, nga gjithsej 1.502 gjoba të shqiptuara, 958 lidhen me drejtues të automjeteve që nuk e kanë respektuar shpejtësinë e lejuar të lëvizjes.
Për drejtim të rrezikshëm të automjetit, në përputhje me nenin 297-a të Kodit Penal, janë privuar nga liria 13 persona, prej të cilëve:
- katër për drejtim nën ndikimin e alkoolit,
- katër për tejkalim të shpejtësisë brenda vendbanimit, dhe
- pesë për tejkalim të shpejtësisë jashtë vendbanimit.
Sipas të dhënave statistikore nga aktivitetet policore, janë regjistruar 97 kundërvajtje për parkim të parregullt, 122 masa ndaj drejtuesve pa leje drejtimi, si dhe 47 sanksione për drejtim nën ndikimin e alkoolit.
Gjithashtu, në bazë të Ligjit për sigurinë në komunikacionin rrugor, pesë motoçiklistë janë gjobitur për mosmbajtje të helmetës mbrojtëse, ndërsa janë ndëshkuar edhe dy këmbësorë. Po ashtu, 43 pjesëmarrës në trafik janë sanksionuar për mosshfrytëzim të rripit të sigurisë.
Në bazë të Ligjit për automjetet, 33 automjete janë larguar nga qarkullimi për shkak se kanë qenë të paregjistruara, ndërsa tre për shkak të mangësive teknike. Pesë drejtues janë gjobitur për mosrespektim të rregullave lidhur me errësimin e xhamave të automjeteve (foliet).
Policia njofton se kontrollet në komunikacion do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim dhe apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe ligjet e komunikacionit për të kontribuar së bashku në rrugë më të sigurta.