BotëXLajme

Trump: Nënshkruhet marrëveshje historike, lufta në Gazë ka mbaruar, fillon rikontruimi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi sot se dokumenti i nënshkruar në samitin paqësor për Rripin e Gazës në Egjipt është “historik” dhe tha se me të është arritur një qëllim shumëvjeçar – paqja në Lindjen e Mesme.

“Kemi arritur atë që të gjithë thoshin se ishte e pamundur, kemi vendosur paqe në një rajon që për dekada me radhë ka qenë i goditur nga lufta dhe gjaku,” tha Trump, duke iu drejtuar pjesëmarrësve në samitin në Sharm el-Sheik.

Ai theksoi se “lufta në Gaza ka përfunduar” dhe se ndihma humanitare tashmë po mbërrin në sasi të mëdha, përfshirë qindra kamionë me ushqime, pajisje mjekësore dhe materiale të tjera të nevojshme, nga të cilat, siç deklaroi, “një pjesë e madhe është financuar nga të pranishmit në këtë sallë.”

“Civilët po kthehen në shtëpitë e tyre, pengjet po ribashkohen me familjet e tyre. Po agon një mëngjes i ri dhe i bukur. Tani fillon faza e rindërtimit, ndoshta më e vështira deri më tani,” tha Trump.

Presidenti amerikan falënderoi në mënyrë të veçantë vendet arabe dhe myslimane që, siç theksoi, “ndihmuan në arritjen e këtij përparimi të jashtëzakonshëm.”

“Kjo është dita për të cilën njerëzit në rajon dhe në mbarë botën janë lutur, kanë punuar dhe kanë shpresuar. Pak vetë besonin se një rezultat i tillë ishte i mundur,” tha Trump.

Ai gjithashtu shprehu një falënderim të veçantë për Egjiptin dhe presidentin Abdel Fattah el-Sisi, të cilët i dhanë atij dekoratën më të lartë të vendit – Urdhrin e Nilit.

Trump gjithashtu falënderoi Emirin e Katarit, Sheikun Tamim bin Hamad Al Thani, duke e quajtur “një udhëheqës të jashtëzakonshëm dhe njeri me zemër të madhe.”

Më herët, presidenti amerikan Trump ishte i pari që nënshkroi një dokument gjithëpërfshirës për marrëveshjen mes Izraelit dhe organizatës palestineze Hamas në fillim të konferencës ndërkombëtare për paqe për Gazën, në resortin egjiptian Sharm el-Sheik.

Në konferencë, nën bashkëkryesimin e Trump dhe presidentit egjiptian Abdel Fattah el-Sisi, dokumenti u nënshkrua edhe nga liderët e Egjiptit, Turqisë dhe Katarit – vendet ndërmjetësuese në negociatat mes Izraelit dhe Hamasit – në prani të presidentit palestinez Mahmoud Abbas.

Related Articles

Back to top button