LokalXLajme

Rade Trajkovski – Shtekli nuk e kupton aktakuzën që i vihet në barrë

I akuzuari i parë në rastin për tregti të palejuar me drogë “Shtekli”, Rade Trajkovski, nuk e kupton aktakuzën që i vihet në barrë, ndërsa të gjithë të akuzuarit e tjerë para Gjykatës thanë se nuk ndihen fajtorë për veprën që u vihet në barrë.

I pyetur nëse ndjehet fajtor për veprën që i ngarkohet, Trajkovski para Gjykatës tha se nuk e kupton.

– Nuk e kuptoj, tha Trajkovski.

Të akuzuarit e tjerë Petar Zllatanovski, Stefan Kitanov, Aleksandar Vuçevski, Stojan Ivanov dhe Filip Tanevski para Gjykatës thanë se e kuptojnë veprën dhe se nuk ndihen fajtorë.

Prokurorja publike Verica Berzhetska Krstevska, në fjalën hyrëse tha se grupi ishte i organizuar mirë dhe merrej me blerje, transport dhe shitje përmes një zinxhiri ndërmjetësuesish, të kontrolluar nga Shtekli.

Rade Trajkovski – Shtekli paraqitet si organizator dhe koordinator i grupit kriminal, i cili ishte në kontakt me persona nga jashtë dhe me ndërmjetësues vendas, që bënin marrëveshje për blerjen fillestare të kokainës. Ai komunikonte me disa nga të akuzuarit dhe të dyshuarit dhe u jepte atyre udhëzime dhe këshilla për zgjerimin e rrjetit. Gjatë kontrollit në shtëpinë dhe veturën e tij, si dhe nga komunikimet në pajisjen mobile, janë gjetur shumë prova që e konfirmojnë sjelljen e tij udhëheqëse dhe qendrore në furnizimin me drogë, theksoi prokurorja Krstevska.

Grupi, siç theksoi prokurorja, ishte i organizuar mirë, me role të përcaktuara qartë – nga furnizimi deri te shitja e kokainës dhe marihuanës, dhe ka vepruar në periudhën nga janari 2024 deri në janar 2025.

Me të gjitha provat e propozuara, Prokuroria do të dëshmojë se të akuzuarit janë fajtorë për veprat penale, përkatësisht se kanë kryer prodhim dhe shpërndarje të paautorizuar të drogave të ndaluara, tha Krstevska.

Të akuzuarit ngarkohen me veprën penale – prodhim i paautorizuar dhe shpërndarje e narkotikëve dhe prekursorëve të tjerë, sipas nenit 215, paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Mbrojtja e Rade Trajkovski – Shtekli, avokati Sashko Dukovski, në fjalën hyrëse tha se do të dëshmojë se Rade Trajkovski nuk ka formuar dhe as është bashkuar me ndonjë grup për tregti të palejuar me drogë.

– Trajkovski as nuk ka organizuar grup, as është bashkuar me dikë, as ka dhënë ndonjë urdhër. Prokuroria i referohet disa provave të siguruara me masa të posaçme hetimore, por në to nuk ka asnjë provë që Shtekli ka dhënë ndonjë udhëzim për këta persona. Shtrohet pyetja nëse dikush ka vepruar me urdhër të të akuzuarit të parë apo bëhet fjalë për një kombinim veprimesh. Këtu lind edhe pyetja për kompetencën e Prokurorisë për Krim të Organizuar për këtë çështje, deklaroi Dukovski.

Sipas mbrojtjes, nuk mund të flitet për një grup kriminal të organizuar, duke pasur parasysh se një pjesë e mirë e të akuzuarve as nuk njihen mes vete, si dhe që një pjesë e të akuzuarve ngarkohen me vepra për, siç thanë, sasi të vogla droge, nën një gram.

– Do të vërtetohet se pohimet e Prokurorisë bazohen më së shumti në supoza dhe dyshime, theksoi një nga avokatët e mbrojtjes.

Seanca e radhës është më 15 tetor dhe do të vazhdojë me prezantimin e provave të propozuara nga Prokuroria.

Aktakuza, e parashtruar nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar, përfshin gjithsej 10 persona, pas një hetimi gati njëvjeçar, gjatë të cilit janë zbatuar masa të posaçme hetimore. Fillimisht ishin përfshirë 16 persona, prej të cilëve shtatë kanë bërë marrëveshje për pranim fajësie dhe janë dënuar me nga 3 deri në 3.5 vite burg.

Katër të akuzuar – Danço Masev, Dimitar Trajkov, Vladimir Veselinovski dhe Branislav Zajkov – gjithashtu kanë dorëzuar propozim për pranim të fajësisë, pas së cilës Gjykata ka marrë vendim për ndarje të procedurës penale.

Sipas Prokurorisë, grupi ka qenë i organizuar mirë, me role të përcaktuara qartë – nga blerja deri te shitja e kokainës dhe marihuanës. Droga ruhej në banesa me qira, ndërsa shitej me çmime nga 4.500 deri në 6.000 denarë për gram kokainë dhe 200 deri në 300 denarë për gram marihuanë. Komunikimi bëhej përmes aplikacionit Snapchat, ndërsa provat kyçe janë siguruar përmes sistemit “Cellebrite” për analizë të telefonave mobilë, donacion nga SHBA.

Related Articles

Back to top button