RajonXLajme

Ndalohen skuterat elektrikë në rrugët e Shqipërisë: Policia shpall masat e reja për sigurinë publike

Nga sot, përdorimi i monopatinave elektrike – të njohura gjerësisht si skuterë elektrikë – ndalohet në të gjitha rrugët e Shqipërisë. Vendimi u njoftua nga ministrja e Brendshme Albana Koçiu, e cila deklaroi se ndalimi është masë e përkohshme deri në hartimin e një kuadri të ri ligjor që do të rregullojë përdorimin e këtyre mjeteve.

“Kemi marrë një sërë ankesash nga qytetarët për rrezikshmërinë që paraqesin këto mjete, sidomos për të miturit dhe të moshuarit. Të dhënat e Policisë së Shtetit dhe të Spitalit të Traumës e konfirmojnë rritjen e aksidenteve që lidhen me përdorimin e monopatinave,” – tha ministrja Koçiu.

Sipas saj, policia është urdhëruar të ndalojë qarkullimin e monopatinave elektrike në rrugë deri në daljen e rregullave të reja. Ajo gjithashtu paralajmëroi bizneset që ofrojnë me qira këto mjete të mos vazhdojnë aktivitetin, pasi në të ardhmen do të lejohet vetëm përdorimi vetjak, jo komercial.

Rregullat e reja në përgatitje

Ministria e Brendshme ka nisur punën për hartimin e një plani masash që do të përcaktojë:

  • zonat dhe korsitë ku lejohet qarkullimi i monopatinave,
  • moshën minimale të përdoruesve,
  • detyrimin për pajisje mbrojtëse si kaska,
  • shpejtësinë maksimale të lejuar,
  • si dhe rregulla për ndriçimin dhe sinjalistikën.

Koçiu theksoi se kjo ndërhyrje është e domosdoshme për të shmangur rreziqet deri në miratimin e plotë të rregullores.

Sipas analizave të Policisë së Shtetit dhe Spitalit të Traumës, numri i aksidenteve të shkaktuara nga skuterët elektrikë është në rritje alarmante, veçanërisht mes të rinjve. Çdo ditë në Spitalin e Traumës paraqiten persona të dëmtuar nga përdorimi i këtyre mjeteve.

Në njoftim u theksua se Shqipëria po ndjek shembujt e vendeve të tjera evropiane si Franca, Italia, Gjermania dhe Maqedonia e Veriut, të cilat kanë ndërmarrë masa të ngjashme – nga ndalime të pjesshme deri në bllokime të përhershme të monopatinave në zona urbane.

Related Articles

Back to top button