BotëXLajme

Franca prezanton qeverinë e re: Kryeministri Lecornu ruan emrat kryesorë, por sjell edhe fytyra të reja

Dy ditë pas riemërimit të tij në krye të qeverisë, kryeministri francez Sébastien Lecornu ka prezantuar kabinetin e ri, në të cilin shumica e ministrave kyç ruajnë postet e mëparshme, ndërsa disa dikastere do të drejtohen nga emra më pak të njohur për publikun.

Sipas listës zyrtare të publikuar nga pallati Élysée, në postet e tyre mbeten ministri i Jashtëm Jean-Noël Barrot, ministri i Ekonomisë dhe Financave Roland Lescure — një nga aleatët më të afërt të presidentit Emmanuel Macron —, ministrja e Kulturës Rachida Dati dhe ministri i Drejtësisë Gérald Darmanin.

Ndër ndryshimet kryesore, Catherine Vautrin, që deri më tani drejtonte Ministrinë e Punës dhe Shëndetësisë, është emëruar ministre e Mbrojtjes. Ministër i ri i Brendshëm do të jetë Laurent Nuñez, prefekti i policisë së Parisit, i cili zëvendëson konservatorin Bruno Retailleau. Po ashtu, drejtori i përgjithshëm i hekurudhës shtetërore SNCF, Jean-Pierre Farandou, është emëruar ministër i Punës, ndërsa ish-drejtuesja e WWF France, Monique Barbut, do të drejtojë Ministrinë e Mjedisit.

Para prezantimit të kabinetit, Lecornu zhvilloi konsultime me presidentin Macron në pallatin Élysée. Sipas zëdhënësit të presidentit, qeveria duhet të dorëzojë projektbuxhetin për vitin 2026 deri më 15 tetor, për të respektuar afatin kushtetues.

Kryeministri përballet me presionin për të ulur deficitin e lartë buxhetor të Francës. Ndërsa konservatorët kërkojnë shkurtimin e shpenzimeve publike, krahu i majtë liberal propozon rritjen e taksave për miliarderët dhe pezullimin e reformës së diskutueshme të pensioneve të ndërmarrë nga Macron.

Lecornu nuk e ka përjashtuar mundësinë e një tjetër dorëheqjeje nëse dështon miratimi i buxhetit. Kujtojmë se kabineti i tij i mëparshëm nuk zgjati as 14 orë, para se të jepte dorëheqjen. Pas zhvillimeve politike, Macron e rikonfirmoi Lecornu-n në postin e kryeministrit më 10 tetor 2025.

Related Articles

Back to top button