LokalXLajme

Kontrabanduan makina luksoze nga Bullgaria dhe i regjistruan në RMV me dokumente të falsifikuara

Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka hapur procedurë kundër tre personave të dyshuar për përfshirje në një rrjet kontrabande të automjeteve luksoze dhe falsifikim dokumentesh. Hetimet lidhen me një skemë të mëparshme për futjen e paligjshme të makinave nga jashtë vendit, përmes dokumenteve të rreme dhe targave të falsifikuara. Disa pjesëmarrës në këtë rrjet janë tashmë të dënuar, ndërsa ndaj të tjerëve procedurat janë transferuar në Bullgari, pasi janë shtetas të atij vendi.

Sipas Prokurorisë, njëri prej të dyshuarve, në mars të vitit 2022, ka organizuar futjen e paligjshme të një makine Toyota CR-V me vlerë 22,500 euro përmes pikës kufitare Deve Bair, duke përdorur dokumente dhe targa të falsifikuara.

I dyshuari i dytë akuzohet se në gusht të vitit 2021 ka nxitur dy shtetas bullgarë të kontrabandonin një Lexus NH300H me vlerë 15,000 euro. Më pas, ai e ka regjistruar automjetin në vend me dokumente të falsifikuara dhe kontratë fiktive blerjeje.

Ndërkohë, i treti dyshohet se, si drejtues i një kompanie, ka shmangur kontrollin doganor për të futur në vend një Range Rover Evoque nga Bullgaria me vlerë 17,340 euro, duke përdorur numër shasie dhe dokumente të falsifikuara.

Në të njëjtin rast janë përfshirë edhe dy ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, të cilët dyshohen se kanë përgatitur dhe lëshuar lejet e trafikut të falsifikuara.

Prokuroria ka kërkuar paraburgim për tre të dyshuarit kryesorë, ndërsa për një prej tyre, që aktualisht ndodhet jashtë vendit, masa do të zbatohet sapo ai të lokalizohet dhe të arrestohet.

Related Articles

Back to top button