LokalXLajme

Filipçe: Mucunski të tregojë nëse po zhvillohen bisedime për sjelljen e migrantëve nga Anglia

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, sot i bëri thirrje ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, që më së voni deri nesër ta informojë opinionin publik nëse po zhvillohen bisedime me Britaninë e Madhe për vendosjen e migrantëve në territorin e Maqedonisë së Veriut.

Filipçe këtë e tha duke komentuar tekstin e publikuar në “Politico”, sipas të cilit Britania e Madhe është shumë afër arritjes së një marrëveshjeje për hapjen e një qendre për kthimin e migrantëve në një prej vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ministri Timço Mucunski duhet të tregojë nëse po zhvillohen bisedime për sjelljen e migrantëve në vendin tonë. Duhet të tregojë nëse kjo ka ndonjë lidhje me paketën e kredisë prej shtatë miliardë eurosh. A ka ndonjë lidhje? A është e kushtëzuar Qeveria për ato para që ta bëjë këtë?”, deklaroi Filipçe.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai theksoi se qeveria e VMRO-DPMNE-së qëllimisht po e bllokon procesin e reformave në sistemin gjyqësor me qëllim që të ndikojë politikisht në emërimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ai potencoi se në vend të një reforme thelbësore në drejtësi, qytetarët janë dëshmitarë të përpjekjeve të vazhdueshme për manipulime nga ana e pushtetit.

Filipçe kujtoi se reformat në sistemin gjyqësor janë qartë të përcaktuara në agjendën reformuese të përgatitur nga qeveria e LSDM-së dhe e nënshkruar nga qeveria aktuale e VMRO-DPMNE-së.

“Në atë agjendë reformuese janë përfshirë 12 ligje që prekin shumë aspekte të gjyqësorit. Këto ligje janë ligje reformuese që nënkuptojnë forcimin thelbësor të sistemit tonë gjyqësor. Midis tyre janë ligji për Prokurorinë Publike, për Këshillin Gjyqësor, për pagat e gjyqtarëve, për lëvizjen e lëndëve gjyqësore etj. Kjo agjendë është e lidhur edhe me buxhetin. Këtë vit, deri në qershor, duhej të miratoheshin shtatë prej këtyre ligjeve, dhe deri në fund të vitit 2025 edhe pesë të tjera. Deri tani në Kuvend, nga këto 12 ligje, asnjë nuk është dorëzuar. Kjo nuk është përgjegjësi e kësaj opozite, por e kësaj qeverie”, theksoi Filipçe.

Ai hodhi poshtë akuzat që vijnë nga pushteti, duke i quajtur ato “spinime” të qëllimshme për të larguar vëmendjen nga problemi real – shmangia e reformave në gjyqësor.

“Të gjitha spinimet dhe akuzat për ndonjë afërsi me gjyqtarë janë vetëm justifikim për të mos bërë reforma të vërteta në drejtësi. Nëse nuk realizohen ato reforma, të përcaktuara si strategji me Bashkimin Evropian, atëherë krijohet hapësirë – dhe e pamë që VMRO-DPMNE e praktikon këtë – për ndërhyrje në sistemin gjyqësor, për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të tyre. Pamë gjatë viteve të fundit që është emëruar bashkëshortja e një kryetari komune të VMRO-DPMNE-së dhe një e afërme e një partneri të tyre koalicioni. Është e qartë se çfarë duhet bërë për ta reformuar sistemin gjyqësor”, përfundoi Filipçe.

Related Articles

Back to top button