
Qeveria e Izraelit ka miratuar “fazën e parë” të një marrëveshjeje armëpushimi, që përfshin shkëmbimin e pengjeve dhe tërheqjen e forcave izraelite nga disa pjesë të Gazës. Megjithatë, ende nuk është e qartë se si kjo marrëveshje do të përfshihet në një plan më të gjerë për paqe të qëndrueshme.
Khalil al-Hayya, kreu i ekipit negociator të Hamasit, deklaroi se grupi ka marrë garanci nga Shtetet e Bashkuara dhe ndërmjetësit se faza e parë e marrëveshjes nënkupton “përfundimin e plotë të luftës në Gaza”.
Ratifikimi i marrëveshjes nga qeveria izraelite, i konfirmuar në orët e para të mëngjesit të së premtes, hap rrugën për ndalimin e luftimeve brenda 24 orëve të ardhshme. Hamasit i është dhënë afat 72 orësh për lirimin e pengjeve izraelite.
Sipas mediave izraelite, fraksionet e djathta në qeveri kundërshtuan marrëveshjen. Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, i kishte paralajmëruar më herët kryeministrin Benjamin Netanyahu se nuk do të qëndrojë në një qeveri “që lejon Hamasin të vazhdojë të qeverisë në Gaza”.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që prej tetorit të vitit 2023, ofensiva izraelite ka vrarë të paktën 67,194 persona dhe ka plagosur 169,890 të tjerë, ndërsa mijëra trupë mendohet të jenë ende nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara.
Nga ana tjetër, në sulmet e 7 tetorit 2023 në Izrael u vranë 1,139 persona, ndërsa rreth 200 të tjerë u morën peng.



