BotëXLajme

Izraeli dhe Hamasi bien dakord për “fazën e parë” të armëpushimit në Gaza, njofton Trump

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se Izraeli dhe Hamasi kanë arritur marrëveshje për fazën e parë të planit të armëpushimit në Rripin e Gazës.

Trump e bëri publik lajmin përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar marrëveshjen si një “hap historik drejt paqes”.

Katari, që ka shërbyer si ndërmjetës kryesor në bisedimet për armëpushim, konfirmoi zhvillimin, duke theksuar se është arritur pajtim mbi “të gjitha dispozitat dhe mekanizmat e zbatimit” të fazës së parë të planit.

Në një deklaratë publike, Hamasi njoftoi se marrëveshja parashikon “përfundimin e luftës në Gaza, tërheqjen e forcave pushtuese, hyrjen e ndihmave humanitare dhe shkëmbimin e të burgosurve”.

Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu deklaroi se qeveria e tij do të mblidhet të enjten për ta miratuar marrëveshjen e armëpushimit, duke e quajtur këtë “një ditë të madhe për Izraelin”.

Sipas të dhënave nga autoritetet shëndetësore palestineze, që nga tetori i vitit 2023, lufta në Gaza ka shkaktuar mbi 67,183 të vrarë dhe 169,841 të plagosur, ndërsa mijëra të tjerë vazhdojnë të jenë nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara.

Në anën tjetër, gjatë sulmeve të 7 tetorit 2023 në Izrael u vranë 1,139 persona dhe rreth 200 të tjerë u morën peng.

Në Gaza, shumë palestinezë dolën në rrugë për të festuar lajmin për marrëveshjen, teksa ndërmjetësit ndërkombëtarë paralajmërojnë se zbatimi i plotë i saj do të kërkojë kohë dhe kujdes të madh diplomatik.

Related Articles

Back to top button