
Në Manastir, mëngjesin e sotëm, është zhvilluar një operacion i gjerë i Policisë Financiare, gjatë të cilit është arrestuar një nga biznesmenët më të fuqishëm të qytetit, i dyshuar për manipulim me tenderë të mëdhenj në REK Bitola.
Burime ende jozyrtare tregojnë se bëhet fjalë për Borçe Markovskin. Hetimet paraprake flasin për keqpërdorime të mundshme me tenderë në vlerë rreth 1.6 milionë euro.
Kompania në fjalë ka qenë shpesh në qendër të kritikave publike për kontratat fitimprurëse që ka marrë nga shteti. Opozita kishte denoncuar më herët se vetëm me dhjetë buldozerë të angazhuar në REK Bitola, firma siguronte fitime prej rreth 60 mijë eurosh në ditë, ndërsa në dy vite kishte arkëtuar rreth 200 milionë euro nga tenderët publikë.
Për momentin, autoritetet nuk kanë dhënë konfirmim zyrtar për aksionin, ndërsa hetimet e Policisë Financiare pritet të zbardhin detaje të reja në ditët në vijim.



