
Mjeku dhe bartësi i listës për këshilltar komunal në Likovë, Zekirija Shahini, ka reaguar për herë të parë pas sulmit të armatosur që e la të plagosur disa ditë më parë. Në një deklaratë publike, ai ka thënë se është goditur “në pabesi” nga persona të maskuar, ndërsa ka mohuar të ketë pasur ndonjë konflikt apo armiqësi me dikë.
“U godita në pabesi nga persona të maskuar. Dua të siguroj opinionin se nuk kam hak ndaj askujt, nuk kam prekur as nderin e as familjen e dikujt. Për këtë e kam dëshmitar vetëm Zotin”, ka thënë Shahini në reagimin e tij.
Ai ka kërkuar që incidenti të mos lidhet me procesin politik, duke kujtuar se vendi ndodhet në prag të zgjedhjeve lokale.
“Nuk dua që kjo ngjarje të marrë ngjyrime politike. Nuk kam armiqësi politike me askënd”, ka shtuar Shahini.
Por, nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, nuk mendon kështu. Ai ka reaguar ashpër ndaj sulmit duke e cilësuar ngjarjen si “akt të rëndë, të qëllimshëm dhe makabër”, që përbën “një alarm serioz për demokracinë dhe sigurinë publike në vend”.
“Vetë fakti që në mes të një fushate zgjedhore ndodh një atentat i tillë përbën shqetësim të thellë për rendin, sigurinë dhe demokracinë,” tha Ademi. Në reagimin e tij, nënkryetari i BDI-së theksoi se ky nuk është një rast i izoluar apo i rastësishëm, por një ngjarje që bart indikacione të forta për atentat politik.
“Ky nuk është një incident i zakonshëm, por një akt i rëndë dhe i qëllimshëm që synon të krijojë pasiguri, frikë dhe tension. E dënojmë ashpër këtë akt barbar dhe kriminal dhe kërkojmë reagim të menjëhershëm, serioz dhe transparent nga institucionet kompetente – veçanërisht nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike,” thuhet në deklaratë.



