Rajon

Shqipëria reagon ndaj deklaratës së Serbisë: Çdo përpjekje për të zëvendësuar rolet e viktimës me të agresorit është e papranueshme

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë në kumtesën e sotme shpreh “keqarje të thellë për kumtesën e ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë, të datës 4 tetor 2025, e cila po përpiqet të rikthejë hijet e së kaluarës ndaj një rajoni që po përpiqet të lëvizë drejt së ardhmes. 

Përmes kumtesës për mediat, MEPJ thekson se “kjo deklaratë ngrit një seri akuzash dhe pretendimesh të pabaza, të cilat Shqipëria i hedh poshtë me forcë dhe vendosmëri”.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë e rikujton Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë për disa të vërteta historike, që lidhen me shkaktarët e vërtetë të ngjarjeve tragjike të vitit 1999, ngjarje që sollën vrasje, spastrime etnike dhe dëbimin me forcë të rreth një milion shqiptarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre. Është për të ardhur keq që deklarata e Ministrisë mbështetet ende mbi një Raport tashmë të diskredituar të Dik Martit, kur faktet e hetuara nga autoritetet vendase dhe ndërkombëtare kanë dëshmuar qartë se pretendimet e ngritura aty janë një trillim i pastër, pa asnjë provë faktike.

Theksohet se “këto të pavërteta, të njohura ndërkombëtarisht si përpjekje për të njollosur imazhin e Shqipërisë dhe të Kosovës, nuk mund të përdoren më për t’iu shmangur përgjegjësisë së historisë, e cila nuk rishkruhet me retorikë, por mbahet mend me përgjegjësi.

Në këtë kontekst, MEPJ nënvizon se “çdo përpjekje për të minuar të vërtetën dhe për të ndërruar rolet e viktimës me të agresorit është e papranueshme dhe bie ndesh me çdo frymë të paqes e pajtimit që rajoni kërkon dhe meriton”.

“Shpreh bindjen e thellë se rajoni ka nevojë për pajtim, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim të sinqertë në frymën e fqinjësisë së mirë, e jo për rikthim tek gjuha e akuzave. Vetëm kështu mund të çlirohemi përfundimisht nga hijet e së shkuarës dhe të ndërtojmë së bashku një të ardhme në paqe, siguri dhe prosperitet një Ballkan të bashkuar në familjen tonë evropiane, ku përkasim sipas rrënjëve dhe aspiratave tona. Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet e gatshme për një bashkëpunim gjithëpërfshirës rajonal, në frymën e miqësisë së mirë, dinjitetit dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve tanë”, thuhet në kumtesën. 

Në kumtesën nga 4 tetori, ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë, siç qëndron, flet për “”persekutim sistematik të serbëve në Kosovë” dhe “spastrime etnike të vazhdueshme prej dekadash”. Gjithashtu përmendet edhe raporti i vitit 2011 i Këshillit të Evropës, i hartuar nga Dik Marti, për të cilin Beogradi pretendon se përmban “dëshmi konkrete për rrëmbime dhe trajtime çnjerëzore ndaj serbëve gjatë dhe pas luftës së vitit 1999”, si dhe “akuza për trafik organesh në Shqipëri“.

Related Articles

Back to top button