LokalXLajme

Nga janari 2026, regjistrimi i të porsalindurve do të bëhet automatikisht me “e-baby”

Ministria e Transformimit Digjital njofton se nga janari i vitit të ardhshëm, procesi i regjistrimit të të porsalindurve në Republikën e Maqedonisë së Veriut do të jetë plotësisht i automatizuar. Kjo nismë, e njohur si projekti “e-baby”, paraqet një hap të rëndësishëm drejt dixhitalizimit të shërbimeve publike dhe lehtësimit të procedurave për qytetarët.

“Qeveria dhe Ministria e Transformimit Digjital po realizojnë një tjetër premtim zgjedhor. Që nga fillimi i vitit, Ministria ka ngritur një grup pune ndërinstitucional – me pjesëmarrjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtorisë për Mbajtjen e Regjistrave Civilë, Ministrisë së Shëndetësisë, Drejtorisë për Shëndetin Elektronik dhe institucioneve të kujdesit shëndetësor publik – për të mundësuar automatizimin e plotë të lëshimit të certifikatës së parë të lindjes për të porsalindurit”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Sipas Ministrisë, projekti “e-baby”, i mbështetur edhe nga zyra e UNICEF-it, do t’u mundësojë prindërve që ta marrin certifikatën e lindjes direkt në spital, jo më vonë se 48 orë pas lindjes së fëmijës.

“Duke përdorur Platformën Kombëtare të Ndërveprimit dhe Portalin Kombëtar të Shërbimeve – uslugi.gov.mk, Ministria ka lidhur të gjitha institucionet përkatëse për të siguruar një proces regjistrimi plotësisht të automatizuar. Në fazën e dytë të projektit do të përfshihen edhe shërbimet e sigurimit shëndetësor nga Fondi Shëndetësor, si dhe ndihmat për të porsalindurit të lëshuara nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë”, theksohet në komunikatë.

Projekti “e-baby” është pjesë e agjendës për transformimin digjital të administratës publike, me qëllim që qytetarët të përfitojnë shërbime më të shpejta, më të sigurta dhe pa burokraci.

Related Articles

Back to top button