LokalUncategorized @sqXLajme

Gjyqtarët e Maqedonisë: Vrasja e gjyqtarit nga Shqipëria është një sulm i rëndë ndaj pavarësisë së gjyqësorit

Shoqata e Gjyqtarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut ka reaguar me keqardhje të thellë pas ngjarjes tragjike në Republikën e Shqipërisë, ku një gjyqtar u vra gjatë kryerjes së detyrës së tij zyrtare.

Në reagimin e tyre thuhet se “ky akt përfaqëson një sulm serioz ndaj pavarësisë dhe dinjitetit të funksionit gjyqësor” dhe është një kujtesë se gjyqtarët duhet të kenë mundësi “ta ushtrojnë punën e tyre lirshëm, profesionalisht dhe pa frikë për sigurinë personale”.

Shoqata thekson se sundimi i ligjit është i mundur vetëm kur gjyqësori është i mbrojtur nga çdo lloj presioni apo kërcënimi, duke u bërë apel të gjitha institucioneve dhe aktorëve shoqërorë “të kontribuojnë në ruajtjen e dinjitetit dhe sigurisë së profesionit gjyqësor”.

Në reagim gjithashtu kërkohet kujdes i veçantë gjatë komenteve publike për proceset gjyqësore dhe gjyqtarët, sidomos nga persona me ndikim, sepse “deklaratat e pamatura mund të krijojnë atmosferë mosbesimi dhe presioni që mund të nxisin ngjarje të padëshiruara dhe tragjike”.

Shoqata e Gjyqtarëve e RMV-së thekson se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e pavarësisë, paanshmërisë dhe sigurisë së gjyqtarëve, “si bazë e një shoqërie të drejtë dhe demokratike”.

Related Articles

Back to top button