
Kryeministri i Francës, Sébastien Lecornu, ka dhënë dorëheqje më pak se një ditë pasi u prezantua kabineti i tij qeveritar.
Lajmi u konfirmua nga Pallati Elysee, pas një takimi njëorësh që Lecornu zhvilloi mëngjesin e së hënës me presidentin Emmanuel Macron.
Dorëheqja e papritur vjen vetëm 26 ditë pas emërimit të tij si kryeministër, pas rrëzimit të qeverisë së mëparshme të François Bayrou.
Kabineti i ri i Lecornusë, i cili në masë të madhe mbeti i pandryshuar nga ai i Bayrou-së, u përball me kritika të ashpra në Asamblenë Kombëtare, ndërsa disa parti opozitare paralajmëruan se do ta rrëzonin në votim.
Në Francë tashmë janë shtuar thirrjet për zgjedhje të parakohshme, ndërsa disa parti kërkojnë madje edhe dorëheqjen e presidentit Macron, i cili ka theksuar se nuk do të largohet nga posti para përfundimit të mandatit të tij në vitin 2027.
Jeta politike franceze ka qenë jashtëzakonisht e paqëndrueshme që nga korriku i vitit 2024, kur zgjedhjet e parakohshme parlamentare përfunduan me një parlament të varur (pa shumicë të qartë), duke e bërë pothuajse të pamundur për çdo kryeministër të sigurojë mbështetje të mjaftueshme për miratimin e ligjeve dhe buxhetit vjetor.
Lecornu – ish-ministër i Mbrojtjes dhe një besnik i Macron-it – ishte kryeministri i pestë i Francës brenda më pak se dy vjetësh.



