
Albion Imeri nga Shqipëria dhe Gresa Bakraçi nga Kosova – fitues të garës së gjysmëmaratonës në Maratonën e Shkupit
Albion Imeri nga Shqipëria në kategorinë e meshkujve dhe Gresa Bakraçi nga Kosova në kategorinë e femrave janë fituesit e garës së gjysmëmaratonës, që u zhvillua sot në kuadër të edicionit të 21-të të Maratonës së Shkupit – Wizz Air Skopje Marathon.
Imeri e përfundoi garën prej 21 kilometrash me kohë prej 1:07:57 orë, duke kaluar i pari në vijën e finishit para garuesve nga Maqedonia – Ivan Peshevski (1:11:30) dhe Aleksandar Arsov (1:12:52).
Në kategorinë e femrave, fituese u shpall Gresa Bakraçi nga Kosova, e cila garën e përfundoi me kohë prej 1:20:50.
E dyta në finish mbërriti garuesja maqedonase Tea Bozhinovska, duke arritur kohë personale më të mirë (rekord personal) me 1:21:10, ndërsa vendin e tretë e zuri bashkëkombësja e saj Miljana Ristiq Stojçevska, me kohë prej 1:22:13.



