
Situata në rajonin e Burgasit po kthehet gradualisht në normalitet pas përmbytjeve të mëdha të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm që kanë goditur Bullgarinë ditët e fundit. Sot në pjesën verilindore të vendit është shpallur alarm i verdhë për stuhi të mundshme, ndërsa po monitorohen edhe rrjedhat në pellgun e lumenjve Tunxha, Jantra dhe Marica.
Autoritetet bullgare kanë njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit u janë përgjigjur 340 thirrjeve për dëme të shkaktuara nga stuhia. Nga këto, 218 ishin për pemë të rrëzuara, 100 për përmbytje dhe 22 për dhënie ndihme dhe evakuim. Policia, xhandarmëria dhe shërbimet e zjarrfikësve evakuuan mbi 100 persona në vendbanimet e prekura, 17 prej të cilëve janë fëmijë.
Mbi 80 vendbanime janë pa energji elektrike. Gjendje fatkeqësie është shpallur në komunat e rajonit të Burgasit, Montana, Vidin, Pernik dhe Krxhhali, ndërsa gjendje e jashtëzakonshme në Nesebar, Carevë, Pernik, Krxhali.
Në rrethin e Burgasit, situata mbetet më e rëndë në Carevë, Sveti Vlas dhe vendpushimin Elenite. Pjesë të Sozopolit, fshatit Lozenec dhe dy vendbanime në komunën Karnobat janë pa energji elektrike.
Disa rrugë janë mbyllur për shkak të pemëve të rrëzuara dhe dhjetëra vendbanime janë të izoluara.
Ministria bullgare e Punëve të Brendshme njoftoi se janë vendosur forca shtesë për të ndihmuar autoritetet lokale të kapërcejnë pasojat në vendbanimet e përmbytura. Në terren janë edhe pjesëtarë të ushtrisë.