LokalXLajme

Po bëhen përgatitje për vënien në funksion të rrjetit të ngrohjes për sezonin e ngrohjes

Sezoni i ngrohjes 2025/2026 për për konsumatorët e lidhur me sistemin e ngrohjes qendrore në qytetin e Shkupit, zyrtarisht fillon më 15 tetor, informojnë nga Qeveria. Sipas rregulloreve ekzistuese, furnizimi me energji ngrohëse mund të fillojë edhe më herët – gjegjësisht më 1 tetor, nëse parashikimi për temperaturë të jashtme mesatare për ditën e ardhshme është  12˚С ose më e ulët, sipas të dhënave të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike.

“Në ditët para fillimit zyrtar, zhvillohen procedurat e nevojshme përgatitore të sistemit, duke përfshirë testime të ftohta dhe të ngrohta, dhe gjatë këtyre proceseve zbulohen edhe defekte të caktuara. Gjatë riparimit në verë, ndërmjet dy sezonëve të ngrohjes u krye testimi me presion i rrjetit shpërndarës, aktivitet që ishte i lënë pas dore për vite me radhë, me qëllim zbulimin e defekteve dhe sanimin e tyre. Në kuadër të këtyre aktiviteteve, u zbuluan rreth 80 defekte dhe ato u riparuan plotësisht. Megjithatë, vjetërsia e rrjetit nuk e përjashton mundësinë e defekteve të reja, kështu që pas një sërë testesh të ftohta dhe të nxehta të sistemit të ngrohjes, u shfaqën çarje të reja në dy linja dytësore, pas të cilave zona të caktuara të qytetit mbetën përkohësisht pa energji ngrohëse më 2 dhe 3 tetor.  Deri në fillimin zyrtar të sezonit të ngrohjes, të gjitha defektet do të eliminohen”, thonë nga Qeveria. 

Rrjeti i ngrohjes, i cili menaxhohet nga SHA EMV në territorin e qytetit të Shkupit, daton nga mesi i viteve të gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar. Vonimi i investimeve në këtë infrastrukturë të vjetër gjatë viteve të fundit përbën një rrezik të konsiderueshëm për gjithë sistemin e furnizimit me energji termike.

Për t’iu përgjigjur këtyre sfidave dhe për të siguruar një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate, programi i Qeverisë përfshin plane gjithëpërfshirëse për zhvillimin, modernizimin, rivitalizimin dhe zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qendrore në Shkup. Përmirësimi dhe mbindërtimi i sistemit të shpërndarjes së energjisë termike në Shkup janë formalizuar në listën e planifikimit të investimeve brenda Agjendës së Reformave – Plani për Rritje për periudhën 2024-2027, si një projekt investues i propozuar në fushën e “Energjisë së Pastër”.

Related Articles

Back to top button