
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve sot në mbledhjen e 139-të ka përcaktuar pamjen dhe përmbajtjen e fletës së votimit për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Siç sqaroi kryetari i KSHZ, Boris Kondarko fleta e votimit për kryetar përmban emrin e fletës së votimit, numrin e vendvotimit dhe komunën, emrin dhe simbolin, nëse ka parashtruesi i listës, numrin rendor, emrin dhe mbiemrin e kandidatëve në bazë të të dhënave nga evidenca amë.
Kondarko shtoi se pjesa nga fleta e votimit, e cila mbetet në koçanin në bllok përmban numër serik të fletës së votimit, komunës dhe numrit të vendvotimit.
“Numri serik nuk është në vetë fletën e votimit, ai mbetet në bllok, në koçan , në mënyrë që të mos ketë konfuzion dhe asnjë fletëvotimi të mos mund të identifikohet nga askush me numrin serik”, shtoi Kondarko dhe shpjegoi se fundi i fletëvotimit për zgjedhjen e kryetarit të komunës përmban edhe emrin e komunës, përkatësisht Qytetin e Shkupit për të cilin mbahen zgjedhjet.
Fleta e votimit për anëtarë të këshillave përmban emrin e fletës së votimit, numrin e vendit dhe emrit të komunës, numrin rendor dhe simbolin nëse është te parashtruesi i listës, emrin dhe mbiemrin e bartësit të listës, në bazë të të dhënave nga evidenca amë. Gjithashtu pjesa e fletës së votimit e cila mbetet në koçanin e bllokut i përmban numrin serik të fletës së votimit, komunës dhe numrit të vendvotimit. Në emrin e fletës së votimit, për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit qëndron edhe emri i komunës, gjegjësisht Qyteti i Shkupit për të cilin bëhet zgjedhja.
Anëtarët e KSHZ-së sot e miratuan edhe Propozim doracakun për plotësimin e procesverbaleve për formularin numër 16. Kondarko sqaroi se bëhet fjalë për procesverbalet nga këshillat zgjedhorë, ndërsa doracaku shërben për sqarim, saktësim dhe thjeshtësim të punës së këshillave zgjedhorë në vendvotim gjatë përcaktimit të rezultateve të votimit.
Anëtarja e KSHZ-së, Ditmire Shehu theksoi se vetë procesverbali numër 16 përfaqëson dokument themelor dhe më të rëndësishëm për evidentim, grumbullim dhe përcaktim të rezultateve të votimit në çdo vendvotim.
“Ky procesverbal plotësohet nga këshillat zgjedhorë pas përfundimit të votimit dhe numërimit të votave. Ai rendit në detaje të gjitha pjesët e procesverbalit, mënyrën e plotësimit të tij, të drejtat e këshillave zgjedhore, të drejtat e përfaqësuesve të autorizuar në vetë qendrën e votimit dhe ne besojmë se do t’u jetë i dobishëm këshillave zgjedhorë”, tha Shehu, duke shtuar se KSHZ-ja do ta dorëzojë atë në Komisionet Komunale të Zgjedhjeve.
Në mbledhje ishin miratuar edhe disa propozim-formularë, Formularin numër 13 B, procesverbalin për dorëzimin e fletëvotimeve dhe materialit tjetër konfidencial për votim në territorin e Qytetit të Shkupit nga KSHZ-ja në KKZ, Formularin numër 13 G, procesverbalin për dorëzimin e fletëvotimeve dhe materialit tjetër konfidencial për votimin për kryetar komune dhe Këshill për vitin 2025, Formularin numër 13 D, procesverbalin për dorëzimin e procesverbalit për përcaktimin e rezultateve të votimit në territorin e Qytetit të Shkupit nga KSHZ-ja në Komisionin Zgjedhor të Qytetit të Shkupit për vitin 2025, Formularin numër 15, procesverbalin për përcaktimin e gjendjes së sallës së votimit, materialit zgjedhor në sallën e votimit, kutive të votimit dhe funksionalitetit të pajisjeve biometrike të identifikimit nga ana e këshillit zgjedhor dhe Formularin sipas nenit 107 paragrafi 3 të Kodit Zgjedhor në rast të pamundësisë së ushtrimit të së drejtës së votës, përkatësisht për evidentimin e rasteve të tilla eventuale .
KSHZ e miratoi edhe vendimin për plotësimin e vendimit për formimin e grupeve të punës. Kondarko sqaroi se ky vendim ka lidhje me organizimin e brendshëm dhe pajisjen e të punësuarve nga Sektori për Listën Zgjedhore, të cilët do të punojnë në kontrollin e të dhënave të certifikatave shtypura nga Lista Zgjedhore.
Anëtarët e KSHZ-së miratuan edhe dy kërkesa për akreditime për vëzhgimin e zgjedhjeve.
Siç sqaroi anëtarja e Komisionit, Svetllana Karapetrova, njëra kërkesë është dorëzuar nga Shoqata për Zhvillim Shoqëror – Tetovë, e cila kërkon pesë vëzhgues, ndërsa tjetra nga Ambasada Franceze në vend, e cila kërkon nëntë vëzhgues.
KSHZ vendosi edhe për shtatë kërkesa për përjashtimin e kryetarëve, zëvendësve, anëtarëve dhe zëvendësve të tyre në KKZ dhe Komisionin Zgjedhor të Qytetit të Shkupit, me çka gjashtë prej tyre ishin pranuar dhe ishte përcaktuar se ka arsye objektive për këtë, ndërsa një ishte refuzuar. Në vendin e atyre kërkesat e të cilëve ishin pranuar, sipas shortit ishin zgjedhur persona të rinj.



