
Këshilli Gjyqësor ka marrë vendim për shkarkimin e gjykatësit të Apelit, Enver Bexheti, duke konstatuar se ai ka kryer shkelje të rënda disiplinore dhe me veprimet e tij ka dëmtuar reputacionin e sistemit gjyqësor.
Sipas vendimit, Bexheti për vite i ka mbajtur të bllokuara në sirtar lëndët gjyqësore të ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov, duke lejuar që ato të vjetroheshin. Ky veprim u cilësua si sjellje që cenon rëndë besimin e publikut në drejtësi.
Emri i Bexhetit nuk është i panjohur edhe për opinionin ndërkombëtar. Ai vitin e kaluar u përfshi në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara, për shkak të korrupsionit të madh dhe marrjes së ryshfetit nga Mijallkov. Për pasojë, atij dhe familjarëve të afërt iu ndalohet hyrja në SHBA.
Pas publikimit të kësaj liste, Prokuroria hapi procedurë parahetimore. Megjithatë, në mbrojtjen e tij para Këshillit Gjyqësor, Bexheti deklaroi se kundër tij nuk ka procedim penal aktiv dhe se lista amerikane “nuk është dokument detyrues”. Për mbajtjen e lëndëve të Mijallkovit në sirtar, ai u arsyetua me kushtet e punës gjatë pandemisë.
Përveç Bexhetit, në listën e zezë amerikane u përfshi edhe ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi i BDI-së, së bashku me 12 persona të tjerë. Të gjithë u cilësuan si të përfshirë në korrupsion të madh dhe në praktika të dëmshme për sundimin e ligjit në Maqedoninë e Veriut.



