
Departamenti i Shtetit ka publikuar Raportin e vitit 2025 për Trafikimin Global të Personave, ku thekson se Maqedonia e Veriut mbetet në Nivelin 2, pasi ende nuk i përmbush standardet minimale për eliminimin e trafikimit të qenieve njerëzore.
Raporti vëren se autoritetet kanë bërë përpjekje të konsiderueshme krahasuar me periudhën e mëparshme, duke hetuar më shumë raste, ndjekur penalisht më shumë të akuzuar dhe identifikuar më shumë viktima. Po ashtu janë zhvilluar procedura të reja për ekipet mobile dhe është krijuar fondi i kompensimit për viktimat.
Megjithatë, SHBA kritikon faktin se janë dënuar më pak trafikantë, ndërsa Prokuroria për Krim të Organizuar nuk ka burime të mjaftueshme. Disa raste janë trajtuar si kundërvajtje me dënime më të lehta, ndërsa ekipet mobile, që identifikojnë shumicën e viktimave, nuk kanë marrë financim të rregullt.
Në raport theksohet gjithashtu mungesa e shërbimeve të specializuara për viktimat meshkuj, si dhe mungesa e strehimit afatgjatë për të gjitha viktimat. Policia lokale dhe agjentët kufitarë shpesh nuk bëjnë skrining të rregullt dhe si pasojë disa viktima penalizohen për veprime të kryera nën shtrëngimin e trafikantëve.
SHBA rekomandon që Maqedonia e Veriut të forcojë hetimet dhe ndjekjet penale, të vendosë dënime më të rënda për trafikantët, të ndajë fonde të mjaftueshme për mbrojtjen e viktimave dhe të sigurojë trajnim të specializuar për gjyqtarë, prokurorë dhe policë.PortaliX



