
Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë njoftuar se më 17 tetor, nga ora 17:00, në sheshin “Skënderbej” të Tiranës do të mbahet një protestë paqësore me moton: “Drejtësi për çlirimtarët, kundër padrejtësisë në Hagë”.
Drejtuesit e këtyre organizatave u kanë bërë thirrje qytetarëve që ta mbështesin protestën, duke theksuar se ajo nuk është vetëm çështje individësh, por një kauzë kombëtare.
“Pas protestave të mbajtura në Prishtinë dhe në Holandë, kemi vendosur që protestën e radhës ta organizojmë në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë. Mesazhi ynë është i thjeshtë dhe i qartë: drejtësi për çlirimtarët, kundër padrejtësisë që po u bëhet atyre. Kjo është çështje dinjiteti, sakrifice dhe e së vërtetës sonë historike. Prandaj iu drejtohemi të gjithë shqiptarëve, partive politike në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni: bashkohuni me ne”, tha Hysni Gucati në konferencë për media.
Ai shprehu mirënjohje për qeverinë shqiptare, duke theksuar kujdesin dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme për këtë çështje madhore kombëtare.
“Ne jemi një komb, na bashkon një gjuhë dhe një flamur – flamuri i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Në sheshin ‘Skënderbej’, më 17 tetor nga ora 17:00, të gjithë së bashku do të protestojmë kundër padrejtësisë që po bëhet në Hagë”, shtoi ai.
Ndërkaq, kryetari i Familjeve të Dëshmorëve të Luftës së UÇK-së, Xhavit Jashari, u shpreh se në Gjykatën Speciale po bëhen përpjekje për të njollosur luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK-së.
“Populli shqiptar kudo që jeton duhet të reagojë. Lufta e lavdishme e UÇK-së ka përmasë kombëtare. Gjatë gjithë historisë sonë, shqiptarët janë ngritur jo vetëm për liri dhe çlirim, por edhe për bashkim. Është tronditëse që Dhomat e Specializuara e kanë cilësuar UÇK-në si ‘organizatë të përbashkët kriminale’. Kjo prokurori ka bashkëpunuar ngushtë me prokurorinë serbe, me qëllim kriminalizimin e UÇK-së. Është detyrë e institucioneve tona në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup të reagojnë, sepse kjo gjykatë është ngritur mbi një raport të shpifur të Dick Martyt, për të cilin nuk është vërtetuar kurrë asnjë fakt”, theksoi Jashari.
Protesta e 17 tetorit në Tiranë pritet të jetë një tjetër thirrje e fuqishme për mbrojtjen e figurës së çlirimtarëve të UÇK-së dhe përballjen me padrejtësitë e Hagës.