
Ish ministrja shqiptare e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, e cila në këtë moment është deputete nga radhët e Partisë Socialiste të Shqipërisë, dje njëzëri është zgjedhur për zëvendës kryetare e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), njoftoi ATSH.
Pasi është zgjedhur për një nga nëntëmbëdhjetë zëvendës kryetarët e APKE-së, Xhaçka ka shkruar në rrjetet sociale se kjo nuk është vetëm funksion i ri për të, por porosi e fuqishme e besimit se Shqipëria ka zë, peshë dhe vizion.
“Ky funksion bart përgjegjësi të qarta: ta përforcojë zërin e vendit tim në mbrojtje të demokracisë, sundimin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut”, ka shkruar Xhaçka.
Ajo shtoi se me përkushtim do të angazhohet për përkrahje të Kosovës në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, si dhe se do të qëndrojë afër Ukrainës në përpjekjet e saj për drejëtsi dhe paqe. Xhaçka, po ashtu, deklaroi se do të promovojë reforma, të cilat do ta bëjnë Shqipërisnë partner gjithnjë e më të sigurt.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës bashkon 46 vende dhe shërben si mbrojtëse e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Kontinentin e Vjetër.
I themeluar në vitin 1949, Këshilli i Evropës i është përkushtuar mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Mes 46 anëtarëve të saj janë të gjitha 27 vendet e BE-së, si dhe Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Ukraina dhe shumë të tjera, duke përfshirë rreth 680 milionë evropianë nga Grenlanda deri në Azerbajxhan.



