
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, sot njoftoi se së shpejti do të shpallë “diçka të veçantë” në lidhje me negociatat për paqe në Lindjen e Mesme.
“Kemi një mundësi reale për të arritur diçka të madhe në Lindjen e Mesme. Të gjithë janë të përgatitur për diçka të veçantë, për diçka që po ndodh për herë të parë. Ne do ta bëjmë që kjo të ndodhë”, ka shkruar Trump në platformën e tij “Truth Social”.
Njoftimi i Trumpit vjen një ditë para vizitës së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë.
Trumpi dje deklaroi se po zhvillohen negociata intensive me përfaqësues të vendeve të Lindjes së Mesme për të gjetur një zgjidhje për konfliktin në Rripin e Gazës. Portali izraelit “The Times of Israel” dje publikoi dokumentin që Trumpi ua ka prezantuar liderëve të rajonit. Plani i Trumpit për Rripin e Gazës përmban 21 pika.