
Kandidati i koalicionit VLEN për Komunën e Çairit, Izet Mexhiti, ka njoftuar se sot nis fushatën zgjedhore, duke theksuar se ky është një mision për çlirim nga monopoli politik dhe për transformimin e Çairit në një komunë moderne, funksionale dhe evropiane.
Mexhiti theksoi se gjatë periudhës së fundit ka siguruar zhbllokimin e projekteve të rëndësishme për komunën dhe miliona euro investime, duke kthyer Çairin në një kantier ndërtimi. Mexhiti tha se tani është koha për zbatimin konkret të këtyre projekteve – për zgjidhjen e trafikut, parkimit, pastërtisë, ndërtimin e çerdheve, mësimin me një ndërrim, zhvillimin kulturor dhe kthimin e Çairit në qendër arsimore dhe studentore për shqiptarët në Shkup.
“Rikthehem në Çair, mes njerëzve që i përkas, për të sjellë ndryshimin e nevojshëm. Kjo nuk është vetëm një kandidaturë, është një mision për të çliruar qytetarët nga frika, pasiguria dhe sundimi i një partie të vetme.”
“Kemi siguruar fonde dhe projekte. Tani është koha për të ndërtuar çerdhe, për të futur mësim me një ndërrim, për të pastruar qytetin, për ta kthyer Çairin në qendër kulturore, arsimore dhe studentore.”



