Rajon

Alarm shëndetësor në Shqipëri: Afro gjysma e të rriturve vuajnë nga hipertensioni

Sëmundjet e qarkullimit të gjakut, veçanërisht hipertensioni, janë shndërruar në një problem madhor shëndetësor për shqiptarët. Një raport i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) tregon se 47% e popullsisë së moshës 30–79 vjeç vuan nga tensioni i lartë i gjakut – shumë më tepër se mesatarja botërore prej 34%.

Nga mbi 797 mijë të prekur, vetëm gjysma janë të diagnostikuar, më pak se 40% trajtohen dhe vetëm 11% e mbajnë gjendjen nën kontroll. Shqipëria kështu renditet mes vendeve me përqindjen më të ulët të kontrollit në rajon, shumë larg objektivit global prej 50%.

Pasojat janë dramatike: në vitin 2022, sëmundjet kardiovaskulare përbënin gati gjysmën e të gjitha vdekjeve në vend, ndërsa 59 raste për 100 mijë banorë lidhen drejtpërdrejt me presionin e lartë të gjakut.

Ekspertët e OBSH-së theksojnë se faktori kryesor i rrezikut mbetet konsumi i lartë i kripës. Shqiptarët konsumojnë mesatarisht 13 gramë kripë në ditë – më shumë se dyfishi i rekomandimit botëror. Kësaj i shtohet edhe niveli i lartë i duhanpirjes (26% e të rriturve), konsum i alkoolit dhe mungesa e aktivitetit fizik, faktorë që përshpejtojnë dëmtimet kardiovaskulare dhe rrisin rrezikun për infarkt e goditje në tru.

Megjithëse Shqipëria ka miratuar një strategji kombëtare për parandalimin e këtyre sëmundjeve, zbatimi mbetet i dobët. OBSH kërkon forcim të kujdesit parësor, fushata ndërgjegjësimi dhe trajtim më efektiv, në mënyrë që barra e hipertensionit të mos kthehet në krizë të pakontrollueshme për shëndetin publik.

Related Articles

Back to top button