
Lëvizja feministe “Asnjë më shumë!” sot nga ora 18:00 organizon një bllokadë para parkut “Gruaja Luftëtare” në Shkup. Sipas organizatorëve, qëllimi është të dërgohet një mesazh i qartë për barazi, solidaritet dhe jetë pa dhunë.
“Zemërimi dhe frika jonë po kthehen në guxim dhe vendosmëri – për të thënë se nuk do të ketë asnjë më shumë. Gratë në këtë shtet nuk janë të mbrojtura mjaftueshëm, shumë prej tyre jetojnë në dhunë ose nën rrezik, ndërsa thirrjet e tyre për ndihmë shpesh injorohen. Jemi këtu për të ndërtuar bashkëjetesë, për të treguar shpresë për një të ardhme pa dhunë, por edhe për të kërkuar drejtësi për të gjitha viktimat që nuk u mbrojtën me kohë,” theksojnë nga lëvizja.
Organizatorët u bëjnë thirrje qytetarëve t’u bashkohen protestës dhe të marrin pjesë aktivisht në diskutime – të shprehin mendimet e tyre, si ndihen, çfarë duhet ndryshuar në sistem dhe të kërkojnë së bashku zgjidhje përballë institucioneve që, sipas tyre, nuk i mbrojnë jetët e grave.



