
Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut sot shqyrtoi dy lëndë që lidhen me procesin zgjedhor. U shqyrtua kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e Vendimit të Qeverisë për zvogëlimin e numrit të këshilltarëve në disa komuna, si dhe udhëzimi i miratuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ). Këtë e bëri të ditur në konferencë për shtyp kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.
Siç shpjegoi gjykatësja, Dobrilla Kacarska, Gjykata Kushtetuese me shumicë votash vendosi të mos hapë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së vendimit të Qeverisë për zvogëlimin e numrit të këshilltarëve në disa komuna.
“Duke marrë parasysh që zgjedhjet lokale janë për më pak se një muaj, ky raport u përgatit në një kohë shumë të shkurtër, pasi nuk e dinim çfarë efekti mund të kishte vendimi mbi mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Disa aspekte ishin kyçe për vendimin. Së pari, kompetenca e Qeverisë – nëse ka apo jo të drejtë të marrë një vendim të tillë. Absolutisht, Qeveria është institucioni i vetëm që ka kompetencë për ta bërë këtë, dhe ajo buron nga Kushtetuta, neni 91, pika 1, sipas së cilës është përgjegjëse për zbatimin e ligjeve. Po ashtu, kjo kompetencë rrjedh edhe nga neni 63, paragrafi 3 i Ligjit për Qeverinë,” shpjegoi Kacarska.
Ajo theksoi se neni 34 i Ligjit për vetëqeverisje lokale është shumë i qartë dhe përcakton numrin e këshilltarëve në një komunë – jo më pak se 9 dhe jo më shumë se 33.
“Në këtë nen është dhënë qartë shpërndarja e banorëve nga i cili varet numri i këshilltarëve. Në të gjithë ligjin përdoret termi banorë. Ne flasim për zgjedhje lokale, jo për parlamentare apo presidenciale. Për zbatimin e nenit 34, Qeveria, bazuar në nenin 36, paragrafi 3, e ka miratuar këtë vendim për numrin e këshilltarëve,” shtoi Kacarska.
Sipas saj, ligji flet vetëm për banorë, dhe në përputhje me nenin 6 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, banor i komunës konsiderohet personi me vendbanim të përhershëm në atë komunë.
“Aspak rastësisht, edhe Kodi Zgjedhor bën dallim ndërmjet zgjedhjes së presidentit dhe deputetëve, dhe zgjedhjes së këshilltarëve apo kryetarëve të komunave. Neni 7, pika 4 specifikon se këshilltar apo kryetar komune mund të zgjidhet vetëm një banor i asaj komune, pasi këto institucione vendosin për jetën e përditshme të qytetarëve të komunës përkatëse,” shpjegoi ajo.
Kacarska iu referua edhe pretendimeve nga iniciativat që flisnin për, siç tha ajo, diskriminim të supozuar, duke theksuar se kjo nuk qëndron, pasi numri i këshilltarëve është zvogëluar në shumë komuna të ndryshme, jo vetëm në ato me shumicë të komuniteteve më të vogla etnike. Ajo përmendi disa komuna si Kratovë, Kumanovë, Kriva Pallankë, Pehçevë, Strugë, Jegunovcë, Novo Sellë dhe Qendër Zhupë, ku është zvogëluar numri i këshilltarëve, ndërsa në të tjera si Studeniçan, Karposh dhe Kisella Vodë numri është rritur.
Gjykata Kushtetuese sot vendosi gjithashtu të mos hapë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së udhëzimit të KSHZ-së për plotësimin e formularëve për listat e kandidatëve për anëtarë të këshillave komunalë dhe të Këshillit të Qytetit të Shkupit, i cili është miratuar mbi bazën e vendimit të kontestuar të Qeverisë.
“Gjykata Kushtetuese shqyrtoi dy aspekte në këtë rast. Së pari, nëse udhëzimi është i përshtatshëm për vlerësim kushtetues. Shumica e gjyqtarëve vlerësuan se është i përshtatshëm. Së dyti, për nga përmbajtja, u konstatua se udhëzimi nuk cenon Kushtetutën dhe ligjet, pasi vetëm operacionalizon dhe zbaton më tej çështjet e parashikuara në aktin më të lartë juridik – Rregulloren. Javën e kaluar Gjykata Kushtetuese vendosi për kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e asaj Rregulloreje,” shpjegoi kryetari Kostadinovski.
Ai foli edhe për një rast që kishte të bënte me të drejtat dhe liritë themelore. “Gjykata konstatoi se të drejtat e aplikantes, Natasha Stojanovska, janë shkelur nga gjykatat e Shkupit – ajo Themelore dhe ajo Civile. Kjo është hera e tretë që konstatojmë shkelje të lirive dhe të drejtave në bazë të të njëjtit rast – bëhet fjalë për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend,” tha Kostadinovski.



