
“Çdo natë Struga mbytet nga era e keqe që shpërndahet nga deponia që digjet! Ne thithim helme, dhe institucionet heshtin”, thotë avokati dhe aktivisti qytetar i Strugës, Gligorie Qatoski, i cili kohëve të fundit ka trokitur në shumë dyer duke kërkuar përgjigje, por edhe masa konkrete nga institucionet në Мaqedoni kundër ndotjes së qytetit ku ai jeton dhe punon, raporton DW.
“Ne kemi dorëzuar edhe një parashtresë në Komunën e Strugës, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit Jetësor, me të cilën kërkojmë të përcaktohet saktë burimi i ndotjes – nëse është shkaktuar nga faktori njeri apo ndikime atmosferike dhe çfarë masash konkrete planifikohet të merren nga autoritetet”, thotë ai për DW, duke theksuar se banorët e qytetit të lumit Drini i Zi meritojnë të thithin ajër të pastër.
Injorim i plotë
Ky nuk është alarmi i parë për ndotjen në qytet ku kohëve të fundit kërkohej zgjidhje ose për tymin nga deponia e egër, ose për djegien e kallamishteve, ose për zjarret në zonat malore.
Qytetarët vazhdimisht alarmojnë, por thonë se hasin në injorim, jo vetëm nga komuna, por edhe nga autoritetet kompetente, siç është Ministria e Mjedisit Jetësor dhe e Planifikimit Hapësinor.
“Mungon vetëdija dhe ndjenja e përgjegjësisë, por ka edhe mosnjohje të ligjit, sepse sipas dispozitave të Ligjit për Menaxhimin e Mbeturinave dhe Mjedisin Jetësor ekziston një parim shumë i rëndësishëm – i masës së kujdesit, ku në rastin kur autoritetet kompetente përballen me ndonjë lloj ndotjeje dhe mungojnë të dhëna shkencore për shkallën e saj supozohet se bëhet fjalë për ndotje që është përtej kufijve dhe për të cilën duhet të merren masa adekuate”, thotë Qatoski.
Kërkohet ndihmë nga Strasburgu
Por edhe krahas reagimeve të qytetarëve deponia në Strugë vazhdon të digjet. Shoqata e Juristëve të Rinjtë Maqedonisë (SHJRM) në vitin 2021 ngriti një padi civile kundër tre institucioneve për ndotjen nga deponia e Strugës, por gjykatat në Maqedoni e shpallën veten jokompetente.
Megjithatë, Gjykata në Strasburg u interesua për çështjen. Në gusht të këtij viti ajo e pranoi padinë dhe pritet të marrë një vendim brenda gjashtë muajve.
Në padi kërkohej parandalimi i ndotjes së mëtejshme të mjedisit jetësor nga deponia e Strugës, parandalimi i grumbullimit të mëtejshëm të mbeturinave dhe dekontaminimi i zonës për shkak të pasojave negative dhe të dëmshme për shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Përveç zhvendosjes së deponisë, u kërkua edhe vërtetimi i shkeljes të së drejtës për një mjedis jetësor të shëndetshëm, të drejtës për jetë dhe të drejtës për privatësi në shtëpi.
Kjo do të thotë që në Strasburg do të diskutohet një nga problemet më të mëdha ekologjike dhe shëndetësore në Strugë –deponinë që ndodhet vetëm 500 metra nga shtëpitë e para, pranë lumit Drini i Zi dhe 2 kilometra nga Liqeni i Ohrit, që bën pjesë në trashëgiminë natyrore botërore.
“Këto janë shpresat e fundit për luftën për mbrojtjen e mjedisit jetësor. Strasburgu është shpresa e fundit që më në fund ndonjë gjykatë do ta marrë lëndën dhe do të marrë një vendim adekuat se si dhe çfarë duhet të bëjmë për ta mbrojtur veten nga një ndotje e tillë”, thotë bashkëbiseduesi jonë.
Nëse konstatohet shkelje e të drejtave për mbrojtje sipas Konventës Evropiane, Qatoski është i mendimit se do të mundësohet që të përsëritet procedura në rastet kur gjykatat në Maqedonisë janë shpallur si jokompetente.
E gjithë procedura në Strasburg do të jetë një udhëzues se si gjykatat tona do të duhet të vendosin në një procedurë të tillë. Strasburgu do të duhet ta thyejë akullin për arritjen e drejtësisë ekologjike në Maqedoni”, thotë bashkëbiseduesi i DW.
Deri më tani ka pasur procedura për ajrin, por kjo është padia e parë ekologjike nga Maqedonia para Gjykatës së Strasburgut.
Çdo vit në Maqedoni regjistrohen rreth 3.828 raste të vdekjes të shkaktuara nga ekspozimi ndaj grimcave PM 2.5, të cilat janë ndër më të dëmshmet për shëndetin. Veçanërisht shqetësuese është që një në nëntë vdekje tek fëmijët nën një vjet në vendin tonë lidhet me ajrin e ndotur. Këto grimca lidhen me një gamë të gjerë problemesh shëndetësore, siç janë sëmundjet e mushkërive, sulmet në zemër dhe kanceri i mushkërive. Institucionet kanë raportime për një rritje të numrit të sëmundjeve respiratore gjatë viteve, por ato nuk japin informacion se cila do të ishte arsyeja për këtë.
Ndryshe, Ligji për kontrollin e emisioneve industriale është miratuar më 12 shtator në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Përmes këtij ligji planifikohet mjedis më i pastër.
Në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2024 është regjistruar rritje e shpenzimeve për mbrojtjen e mjedisit jetësor, krahasuar me vitin paraprak. Vlera e shpenzimeve të mbrojtjes së mjedisit jetësor, gjatë vitit 2024, është 10 503 523 000 denarë.



