
Bëri bujë informacioni se do të ribrandohet Policia e Maqedonisë së Veriut dhe se Ministria e Punëve të Brendshme u bëri thirrje kompanive të aplikojnë në tenderin tashmë të hapur.
Por ajo që bie në sy, është mungesa e gjuhës shqipe, e cila sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve, uniformat duhet të jenë edhe në gjuhën shqipe.
“(3) Uniformat e policisë, të zjarrfikësve, të shëndetësisë; në Shkup dhe në komunat në të cilat së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase janë të shkruara në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% të qytetarëve në Republikën e Maqedonisë dhe alfabetin e saj”.
Se do të jenë në gjuhën shqipe uniformat dhe mbishkrimet në automjetet policore, u paralajmërua nga Qeveria e kaluar.
Ish Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski pati deklaruar:
“Do të fillojë të zbatohet më së voni në afat prej një viti nga dita e hyrjes në fuqi, respektivisht më së voni deri më 26 mars të vitit 2023″.
E ndërkaq se uniformat tashmë janë në gjuhën shqipe, ka njoftuar ish zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, i cili pati shpërndarë edhe fotografi nga uniformat edhe në shqip.
“Një tjetër mision i kryer me sukses, ashtu siç premtuam! Po zbatohen tashmë në praktikë ndryshimet e Dekretit për përdorimin e gjuhës shqipe në uniformat policore dhe simbolet e tyre që i miratuam në seancë të Qeverisë më parë”.

Ndërkaq nga fotogtafia e publikuar nga udhëheqësia aktuale e Ministrisë së Punëve të Brendshme shihen produktet vetëm në gjuhën maqedonase.
Megjithatë në tenderin e hapur nga MPB-ja nuk specifikohet çështja e gjuhës.




