
Një numër i madh i komunave në Maqedoni po hyjnë në një garë të re zgjedhore me detyrime të pashlyera dhe me borxhe deri në fyt. Deri në muajin qershor në adresë të Njësive të Vetëqeverisjes Lokale kanë arritur për arkëtim detyrime prej 3,981 milionë denarësh (64.7 milionë euro), ose 9% e shumës së përgjithshme të detyrimeve të subjekteve publike. Nëse këtyre u shtohen edhe detyrimet e ndërmarrjeve publike lokale të themeluara nga komunat (një shumë prej 6,617 milionë denarësh), pjesëmarrja e përgjithshme e tyre arrin në 25% të shumës së përgjithshme të detyrimeve të pashlyera, raporton Dojçe Vele (DW).
Cilët janë borxhlinjtë më të mëdhenj?
Në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen në muajin tetor Finance Think publikoi analizë e cila tregon se komunat më të mëdha kanë edhe borxhe më të mëdha.
Borxhlinjtë më të mëdhenj janë Komuna e Gostivarit (693 milionë denarë), Tetovës (584 milionë denarë), Kavadarit (228 milionë denarë) dhe Qyteti i Shkupit (342 milionë denarë). Nëse detyrimet analizohen në raport me numrin e banorëve, komunat me borxhet më të mëdha janë Dellçeva, Gostivari, Vasileva, Zhelina dhe Krivogashtani, ku çdo banor detyrohet mesatarisht nga 14.227 deri në 8. 820 denarë.
Por, më të ngarkuara me borxhe janë Komuna e Gostivarit, Tetovës dhe Kavadarit. Komuna e Dojranit, Kratovës dhe Nagoriçanit të Vjetër po i shlyejnë detyrimet e tyre në kohë, ndërsa Komuna Qendër dhe e Dollnenit nuk kanë dorëzuar të dhëna deri në muajin qershor.

Një barrë serioze për buxhetin
“Borxhet komunale janë një barrë serioze për buxhetet lokale dhe e dëmtojnë stabilitetin fiskal të komunave. Tek Komuna e Vasilevës, Dellçevës dhe Gostivarit ato tejkalojnë 50% të të ardhurave të përgjithshme, gjë që flet për një rrezik të lartë nga insolvenca fiskale. Përveç kësaj, tek një numër i madh të NJVL-ve këto detyrime janë disa herë më të larta se të ardhurat e mbledhura tatimore dhe të dalat e realizuara kapitale”, theksojnë nga Finance Think.
Në vitin 2023 Ministria e Financave miratoi emetimin e obligacioneve strukturore në shumë prej 275 milionë denarësh, gjë që i dha Komunës të Tetovës, Zhelinës dhe Vinicës mundësinë për t’i shlyer detyrimet e tyre dhe për t’i konsoliduar buxhetet e tyre. Komunat janë të detyruara të paguajnë këste të njëjta në Ministrinë e Financave brenda një afati kohor prej 10 viteve.
Paraprakisht, në vitin 2018, Qeveria miratoi 3 miliardë denarë (rreth 50 milionë euro) nga ribalansi i buxhetit për të mbuluar 51% të detyrimeve të raportuara, por të pashlyera të komunave dhe institucioneve të themeluara prej tyre (gjithsej rreth 5,95 miliardë denarë). Por, edhe krahas kësaj mbështetjeje financiare tendenca e grumbullimit të detyrimeve të reja të pashlyera vazhdoi.
“Kjo krijon një ‘rrezik moral’ ku për shkak të përgjegjësisë së ulët pushteti qendror ndërhyn duke i mbuluar detyrimet e pashlyera, duke e zhvendosur kështu rrezikun nga niveli lokal në atë kombëtar dhe duke e dëmtuar disiplinën fiskale afatgjatë. Kjo gjithashtu krijon pritshmëri për një lloj të tillë mbulimi të borxhit edhe në të ardhmen”, theksojnë nga Finance Think.

Borxhe të mëdha edhe tek ndërmarrjet publike
Analiza tregon se deri në muajin qershor borxhet e sektorit publik kanë arritur në 690,8 milionë euro, ose rreth 4,2% të PBB-së. Në periudhën nga viti 2019 deri në gjysmën e parë të vitit 2025 detyrimet e pashlyera janë rritur për dy herë e gjysmë.
Borxhlinjtë më të mëdhenj janë ndërmarrjet publike shtetërore (53%), ndërmarrjet publike lokale (16%), institucionet publike shëndetësore (10%) dhe Njësitë e Vetëqeverisjes Lokale (9%).
Detyrime më të mëdha të pashlyera kanë Nomagas ShA Shkup, Sh.A . HM “Transport” – Shkup, NP “Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura” – Shkup, ShA ESM, NP-të në fushën e shëndetësisë për nevojat e institucioneve publike shëndetësore, klinikave universitare, instituteve dhe një qendre të urgjencës, ESM Distribuimi i ngrohtësisë ShPKNjP Shkup dhe NP Ujësjellësi dhe kanalizimi – Shkup.
Pjesa më e madhe e borxheve është për shërbime komunale, ngrohje, komunikim dhe transport, si dhe për materiale dhe inventar të imët dhe shërbime kontraktuale.
Projeksionet deri në vitin 2030 tregojnë se nëse vazhdon trendi aktual borxhi publik me detyrimet e pashlyera mund të arrijë në 62,7% të PBB-së.



