
Një aksident i rëndë ka ndodhur këtë pasdite në malet e fshatit Jalloci i Epërm, komuna e Vrapçishtit.
Pas rrotullimit të një automjeti të terrenit, një person ka rënë në humnerë.
Për shkak të terrenit të vështirë, në operacion u angazhuan edhe helikopterë dhe njësitë speciale. Personi u shpëtua dhe u transportua në Qendrën Klinike të Shkupit për trajtim mjekësor.


“Sot, më 21.09.2025, në orën 17:24, është marrë raport për një person të lënduar gjatë përmbysjes së një mjeti terreni në rrugën malore mbi fshatin Jalloci i Epërm, komuna Vrapçisht. Menjëherë për ngjarjen janë njoftuar Stacioni Policor Gostivar dhe Stacioni Policor Galate.
Raporti është marrë përmes Numrit për Thirrje Emergjente-112. Duke qenë se terreni është i vështirë për qasje me automjet të Ndihmës së Shpejtë, me kërkesë të drejtorit të QMK, z. Muhamed Ali, QOK ka dërguar kërkesë te Ministria e Punëve të Brendshme për angazhim të helikopterit dhe njësive speciale alpinike për shpëtimin e personit të lënduar.
Personi do të transportohet në Qendrën Klinike për ndihmë mjekësore të mëtejshme”, njoftuan nga Qendra për Menaxhim me Kriza.



