Lokal

Osmani: Çdo dyqan i ri në Çarshi me karakter historik dhe kulturor do të marrë mbështetje financiare

Kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, vazhdon ta paraqesë vizionin e tij: rikthimin e shkëlqimit të vjetër të Çarshisë së Vjetër të Shkupit dhe shndërrimin e saj në simbol të së ardhmes së qytetit.

“Çarshia nuk është vetëm treg, ajo është shpirti i Shkupit. Ajo është dëshmi e një tradite shekullore, e zejeve që përcillen nga brezi në brez dhe e shpirtit që na lidh të gjithëve” tha Osmani.

Në vizionin që prezantoi, ai theksoi se çdo dyqan i ri me karakter historik dhe kulturor do të marrë mbështetje financiare. Mjeshtrit dhe nxënësit që vazhdojnë zejen do të përfitojnë bursa. Produktet që do të krijohen aty do të mbajnë vulën “Made in Çarshi – bërë në Çarshinë e Shkupit”.

“Dua që produkti nga Çarshia, kur të shfaqet në Zvicër apo kudo në botë, të mbajë vulën ‘Made in Çarshi’. Kjo është vulë e autenticitetit, e historisë dhe e së ardhmes,” theksoi Osmani.

Ai e bëri të qartë se në Çarshi nuk ka vend për ushqim të shpejtë dhe përmbajtje komerciale që prishin shpirtin e hapësirës. Aty do të ketë vetëm ushqim tradicional, zeje të vjetra dhe rrugë të pastra që do ta kthejnë shkëlqimin e humbur.

Related Articles

Back to top button