Botë

Trampi: Putini më ka zhgënjyer, me të vërtetë më ka zhgënjyer

Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, në ditën e dytë të vizitës së tij shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar, mbajti një konferencë të përbashkët për shtyp me nikoqirin e tij, kryeministrin britanik Kir Starmer, në të cilën të dy udhëheqësit vlerësuan se të dy vendet kanë “përshkuar një rrugë të gjatë” në marrëdhënien e tyre të veçantë dhe se tani e kanë rinovuar atë për një epokë të re.

Gjatë bisedimeve dypalëshe, Trampi dhe Starmer nënshkruan sot një marrëveshje investimi në teknologji, e cila parashikon dhjetëra miliardë dollarë investime në të dyja anët e Atlantikut.

Starmer fillimisht tha se gjatë bisedimeve u ngritën çështjet e forcimit të mbrojtjes, mbështetjes shtesë për Ukrainën dhe “shtimit me vendosmëri të presionit ndaj Putinit për të rënë dakord për një marrëveshje paqeje të qëndrueshme”.

Trampi përsëriti se qëllimi i tij është të ndalojë pushtimin e Ukrainës nga Rusia, duke pranuar se fillimisht mendoi se do të ishte “më e lehtë” falë marrëdhënies së tij me Vladimir Putinin.

“Por ai më zhgënjeu. Ai më zhgënjeu vërtet”, tha Trampi.

Më pas ai tha se do të “shihte se si do të zhvillohej gjithçka” dhe shtoi se besonte se do të arrihej një marrëveshje midis Rusisë dhe Ukrainës, megjithëse “asnjëher nuk dihet në luftë”.

“Ndodhin gjëra krejtësisht të kundërta me atë që mendoni, mendonit se do të ishte e lehtë ose e vështirë, dhe rezulton e kundërta”, tha Tramp.

I pyetur nëse kishte ardhur koha për të ushtruar presion ndaj Putinit për ta frikësuar, presidenti amerikan u përgjigj shkurt “Po”.

Trampi u pyet nga një gazetar britanik nëse kishte gabuar që e ftoi Putinin në Alaskë dhe nëse ishte penduar për këtë, të cilës ai iu përgjigj shkurt “Jo”, por tha se beson që tani është koha për të ushtruar presion ndaj presidentit rus, për ta frikësuar atë dhe për t’i vendosur sanksione.

Ai foli edhe për konflikte të tjera në botë në të cilat, siç pohon ai, ka kontribuar për paqen, dhe më pas iu rikthye konfliktit në Ukrainë.

“Shpresoj se do të kemi lajme të mira për ju së shpejti”, tha Tramp, duke shtuar: “do t’ju them edhe këtë: miliona njerëz vdiqën në atë luftë, miliona shpirtra, dhe ata nuk janë amerikanë. Ata janë kryesisht ushtarë, ata po vrasin njëri-tjetrin në një shkallë të paparë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ndihem i detyruar ta trajtoj këtë për shkak të kësaj.”

Kryeministri britanik theksoi nevojën për të vazhduar rritjen e presionit mbi udhëheqësin rus, duke kujtuar incidentin e javës së kaluar kur dronët rusë hynë në hapësirën ajrore polake.

Related Articles

Back to top button