
Izet Mexhiti, kandidati për kryetar të Çairit ka njoftuar se Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup i është dhënë në shfrytëzim të përhershëm tokë prej 31.434 m², mbi të cilën do të ngrihet kampusi i ri universitar me një investim madhor prej 40 milionë euro.
Sipas Mexhitit, kampusi i ri do të jetë një hap gjigant drejt modernizimit të arsimit në gjuhën shqipe, duke e kthyer Çairin në qendrën kryesore të dijes dhe zhvillimit akademik.
“Me këtë projekt, ne po vendosim themelet e një universiteti modern, që do të ofrojë kushte të denja për studim dhe kërkim shkencor, duke u bërë vatër e gjallë e dijes ku mijëra studentë do të ndërtojnë rrugën e tyre drejt së ardhmes”, u shpreh ai. Ky investim konsiderohet si një nga projektet më të mëdha arsimore në vend, që do të forcojë infrastrukturën e arsimit të lartë dhe rolin e tij si shtyllë themelore e shoqërisë.



