LokalXLajme

E pranoi fajin, më 22 shtator do të shpallet aktgjykimi për onkologen Meri Peshevska

Gjykata Themelore Penale Shkup do të shpallë më 22 shtator vendimin për onkologen Meri Peshevska, e cila ka pranuar fajin. Peshevska, së bashku me ish-drejtorin e Klinikës për Onkologji, Nikola Vasev, dhe dy onkologë të tjerë, akuzohet për trajtim të pa kujdesshëm të pacientëve.

Për veprën penale që i vihet në barrë Peshevskës, ligji parashikon dënim me burg deri në tre vjet.

Prokurorja Ana Gogovska Jakimovska në fjalën përmbyllëse theksoi se e akuzuara ka shfaqur pendim të sinqertë dhe ka pasur sjellje shembullore gjatë gjithë procedurës, por ekzistojnë rrethana rënduese.

“Rrezultati i veprimeve të saj ishte dëmtimi i shëndetit te shtatë pacientë. Si onkologe, ajo kishte detyrimin e shtuar për kujdes, dhe qasja e paautorizuar dhe përdorimi i faksimilit ishte i vazhdueshëm. Duke marrë parasysh këto rrethana dhe pranimin e fajit, Prokuroria propozon që të shpallet fajtore dhe të ndëshkohet sipas ligjit,” deklaroi Gogovska Jakimovska.

Avokati i Peshevskës, Vlatko Kitanovski, argumentoi se edhe pse klientja e tij pranoi fajin për neglizhencë, nuk duhet të shihet si kriminale.

“Ajo ka ndarë të dhënat personale dhe faksimilin me kolegët pa qëllim për përfitim, por për të ndihmuar pacientët. Ata që i kanë keqpërdorur duhet të përgjigjen për këtë. Nuk mund ta dënojmë për një moment neglizhence kur e gjithë karriera e saj ka qenë në shërbim të pacientëve dhe shpëtimit të jetëve,” tha Kitanovski.

Ai para gjykatës paraqiti prova që tregojnë rrethanat lehtësuese, përfshirë: punësim në Klinikë që nga viti 2002, emërim për drejtuese në 2025, mungesë ankesash në karrierën e saj, fakti që është nënë e dy fëmijëve, certifikata nga kongrese dhe trajnime, si dhe mirënjohje nga vendi dhe jashtë tij. Peshevska nuk ka ndonjë ndalim për ushtrimin e profesionit dhe nuk është dënuar më parë.

E akuzuara deklaroi para gjykatës se i ka kushtuar gjithë jetën pacientëve dhe ka punuar në Klinikën e Onkologjisë që nga viti 2002, duke u bërë specialiste onkologe në 2007.

“Kam lënë përdorimin e emrit dhe fjalëkalimit në ambulancë për të lehtësuar procesin e marrjes së terapive nga pacientët, pa menduar se kjo do të keqpërdoret nga kolegët. Prej asaj kohe, faksimili është gjithmonë me mua dhe e fik kompjuterin pas çdo përdorimi. Nuk dua që një gabim i momentit të mbulojë gjithë punën time në profesion,” tha Peshevska.

Gjykimi po udhëhiqet nga gjyqtarja Snezana Markovska.

Ndërkohë, Nikola Vasev dhe dy të tjerët të akuzuar, Simonida Cërvenkova dhe Dragan Jakimovski, mohuan fajësinë. Ata akuzohen për “veprime të rënda kundër shëndetit të njerëzve” dhe trajtim të pa kujdesshëm, ku 29 pacientëve u janë dhënë terapi të papërshtatshme dhe pa vlerësim adekuat të gjendjes shëndetësore.

Për më tepër, ndaj Vasevit dhe ish-drejtorit ekonomik të Klinikës është ngritur një akuzë tjetër për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe shpërdorim të fondeve publike, me dëme mbi 2.2 miliardë denarë për buxhetin e shtetit.

Related Articles

Back to top button