
Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski, i ka bërë thirrje Donald Trampit që të marrë “qëndrim të qartë” për të ndaluar Vlladimir Putinin dhe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Në intervistë ekskluzive për Skaj njuz nga Pallati presidencial në Kiev, Zelenski tha se e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund konfliktit qëndron në garanci të përcaktuara të sigurisë, për të cilat, tha ai, është i nevojshëm guximi i Trampit, publikoi Skaj njuz.
Zelenski shfaqi shpresë se kryeministri britanik, Kir Starmer, do ta sqarojë të ardhmen e Ukrainës gjatë vizitës shtetërore të presidentit amerikan në Britaninë e Madhe këtë javë. “Vërtetë shpresoj se ai (Starmer) mund të ketë shumë diskutime për garancitë e sigurisë së SHBA-së për Ukrainën”, tha ai.
“Para se ta përfundojmë luftën, vërtetë dëshiroj që të gjitha marrëveshjet të jenë në fuqi. Dëshiroj….. të kemi dokument që është i mbëshetur nga Shtetet e Bashkuara dhe të gjithë partnerët evropianë. Kjo është shumë e rëndësishme”, theksoi lideri ukrainas, duke shtuar: “Për të ndodhur kjo, na duhet qëndrim i qartë nga presidenti Tramp”.
Presidenti ukrainas, gjithashtu, i bëri thirrje presidentit amerikan të ndërmarrë hapa të fuqishme personale për të ndaluar Putinin. Apeli i tij vjen pasi Tramp u bëri thirrje aleatëve të NATO-s të ndërprejnë me blerjen e naftës ruse dhe vendosi dogana ndaj Kinës, për të ushtruar presion ndaj Moskës.



