
Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në një postim ka theksuar se prioriteti i tij kryesor mbetet zhvillimi i kësaj komune, duke sjellë si dëshmi projektet që tashmë janë në realizim.
Ai njoftoi se janë siguruar mbi 25 milionë euro investime për Çairin, të cilat po konkretizohen përmes ndërtimit të sheshit “Skënderbeu” dhe parkingut modern nëntokësor me mbi 400 vende. Sipas tij, ky projekt madhor i jep zgjidhje njërit prej problemeve më të mëdha të Çairit dhe Çarshisë së Shkupit – mungesës së hapësirave për parkim.
“Çairi nuk po merr premtime në letër, por investime që po shndërrohen në realitet. Po krijojmë infrastrukturë moderne dhe zhvillim urban që ua lehtëson jetën qytetarëve çdo ditë,” – theksoi Mexhiti.
Ai shtoi se ky është vetëm fillimi i një transformimi të madh, i cili do ta shndërrojë Çairin në qendër të zhvillimit të Shkupit dhe më gjerë.
“Vetëm për ty, Çairi im!” – përfundoi mesazhin e tij Izet Mexhiti.



